Ngjarje

Kopshti Botanik, opozita thërret protestë: Kjo është vjedhja më e madhe

Partia Demokratike do të protestojë kundër vendimit për kalimin e Kopshtit Botanik në pronësi të Bashkisë së Tiranës. Ish-deputeti i PD-së, Luçiano Boçi, e cilësoi vendimi e marrë nga ana qeverisë si vjedhja më e madhe që po i bëhet sot Universitetit dhe që është në kundërshtim të plotë sipas tij, me ligjin e Arsimit të Lartë dhe statutin e Universitetit të Tiranës. “Edi Rama dhe Erion Veliaj po rrëmbejnë me dhunë shtetërore Kopshtin Botanik, pronë e Universitetit të Tiranës, për ta shndërruar këtë nga një zonë të gjelbër dhe të rëndësishme për interesa akademike, në një shesh për kullat e betonit. Një vendim i qeverisë së Edi Ramës grabit 15 hektarë të Kopshtit Botanik me synimin për të pastruar aty në fushën e ndërtimit me miliona euro para të pista. Kjo vjedhje me VKM speciale, eliminon krejtësisht punën kërkimore shkencore në Fakultetin e Shkencave të Natyrës dhe i jep një goditje fatale procesit akademik”, deklaroi Boçi..

Ish-deputeti i PD-së në deklaratën e sotme


Sipas tij, Rama godet autonominë dhe lirinë akademike të tij me harbutëri dhe padrejtësi. Vendimi i qeverisë për PD-në është marrë në mënyrë arbitrare dhe arrogante, pa pyetur as Rektoratin e universitetit, as Senatin, as dekanatin, as asamblenë e personelit akademik e as këshillin studentor që janë ligjërisht pronarët e vërtetë dhe ligjorë të Kopshtit Botanik.
Për këtë Partia Demokratike fton qytetarët që t’i bashkohen dhe ti solidarizohen protestës përpara Gjykatës Administrative, institucionit që pritet të marrë vendimin sot për çështjen e Kopshtit Botanik.

Edhe kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi reagoi për çështjen e Kopshtit Botanik. “Iu bëj thirrje po ashtu të gjithë miqve të mi, ish-studentëve të Fakultetit të Shkencave Natyrës që sot universiteti ynë ka nevojë për ne. Ka nevojë për ne, për t’u bashkuar me ta. Sepse nuk duhet të na ndodhi e njëjta gjë, ajo që na ndodhi me Muzeun e Kafshëve tek rruga Kavajës, i cili u shkatërrua një laborator i tërë me një arsenal të jashtëzakonshëm shkencor për t’u dhënë dhe për t’u ndërtuar nga oligarkët pallat. Nuk do dëshironim që e vetmja gjë dhe e vetmja pasuri që i ka ngelur Fakultetit të Shkencave të Natyrës të betonizohet siç po betonizohet çdo gjë në Tiranë. Mendoj që këtu është e domosdoshme angazhimi i gjithë ne për ta suportuar dhe për ta mbrojtur”, tha Kryemadhi. Duke folur me anë të një video drejtpërdrejt ajo ironizoi duke deklaruar se kemi studiuar të gjitha insektet dhe speciet, por vetëm një nuk e ka në realizuar atë.

Kryetarja e LSIS-së duke reaguar nga Kopshti Botanik


“Një specie nuk e kemi studiuar të cilën duhet ta studiojmë, specien e Rilindjes, e cila po pushton çdo ditë e më shumë jo vetëm pronat e shqiptarëve, nuk po pushton çdo ditë e më shumë jo vetëm ditën e shqiptarëve por pushton edhe të ardhmen e shqiptarëve. Idiokracia e Rilindjes e cila kërkon që çdo institucion të arsimit ta kthejë në përfitim dhe në lavatriçe të pastrimit të parave është mbi të gjitha e domosdoshme një ndërhyrje dhe një ndërgjegjësim kombëtar dhe qytetar i të gjithë ne kudo që jemi. Pa dallim bindjesh politike. Sot më shumë se kurrë ne duhet të japim suportin tonë, mbështetjen tonë në radhë të parë për dijen, në radhë të parë për arsimin se vetëm kështu mund të shpëtojmë të ardhmen e vendit tonë”, theksoi Kryemadhi.


Universiteti i Tiranës ka kontestuar vendimin e qeverisë për marrjen e pronësisë së Kopshtit Botanik dhe ka ankimuar në gjykatë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë