Drejtësia

Shtyhet thirrja në SPAK për Rakip Sulin, kryebashkiaku i Kamzës do pyetet më 6 nëntor

Gazeta Si - Është shtyrë për në datën 6 nëntor (ora 11:00) marrja në pyetje në SPAK ndaj Rakip Sulit, kryebashkiakut të Kamzës, të cilit i është dërguar “ftesa” dy ditë më parë. Shkak mësohet se është bërë shkresa që i ka shkuar me vonesë nga ana e policisë.

Rakip Suli do duhej të paraqitej këtë të mërkurë në orën 12:00 në dyert e prokurorisë për t’u marrë në pyetje lidhur me akuzat për dëmshpërblimet e tërmetit të nëntorit 2019.

Ndërkohë, në datën 11 shtator është depozituar një kallëzim ndaj kryebashkiakut socialist nga banorët e Kamzës për shkelje dhe për korrupsion.

Në rast mos paraqitjeje nga ana e Sulit dhe kryetarit të këshillit bashkiak të Kamzës, SPAK do të urdhërojë shoqërimin e tyre nga Policia e Kamzës.

Ndaj Rakipit Sulit dhe zyrtarëve të tjerë, SPAK po kryen hetimet për disa vepra penale, siç janë “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike.

Në kuadër të kësaj çështje, pasi SPAK ka sekuestruar të gjitha procedurat e ndjekura nga zyrtarët, ka thirrur edhe kryebashkiakun e Kamzës që të japë shpjegime.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë