Drejtësia

Shtyhet seanca për Fredi Belerin, avokatët kërkojnë përjashtimin e gjyqtares nga trupa e gjykimit

Gazeta Si - Është shtyrë për 17 tetor seanca për kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, Fredi Belerit, i akuzuar për korrupsion në zgjedhje.

Gjatë seancës së parë si i pandehur në këtë çështje, avokatët e tij kërkuan dhe dorëheqjen e një prej anëtarëve të trupit gjykues, Etleva Deda.

Sipas tyre, ajo ka shqyrtuar një kërkesë më herët dhe e e ka rrëzuar.

Gjithashtu ata paraqitën kërkesë për pavlefshmëri të të gjitha akteve, përfshirë edhe dërgimin  e çështjes në gjyq.

Po ashtu, Beleri kërkoi pavlefshmëri të akteve të dërgimit të dosjes në gjykim, aktin e regjistrimit të procedimit penal në Prokurorinë e Vlorës, si edhe autorizimet për përgjime audio e video.

Gjykata vendosi të shtyjë seancën për në 17 tetor, seancë ku do të shprehet për këto kërkesa.

Gjykata e Durrësit ka shpallur moskompetencën për shqyrtimin e kërkesës së Fredi Belerit për t’u betuar si kryebashkiak i Himarës, duke ia kaluar atë për vlerësim Gjykatës së Lartë.

I arrestuar para 4 muajsh, i akuzuar për korrupsion në zgjedhje, Beleri iu drejtua me kërkesën e radhës Gjykatës së Durrësit, aty ku po mbahet në paraburgim.

Fredi Beleri u arrestua dy ditë përpara zgjedhjeve vendore të 14 majit. Sipas prokurorisë, përgjimet e realizuara tregojnë se ai ka ofruar para në këmbim të votave në favor të tij. Vetë Beleri ka hedhur poshtë akuzat dhe ka folur për një akt me sfond politik.

Kërkesat e tij të herëpasherëshme për ndryshimin e masës së sigurisë janë refuzuar nga të gjitha shkallët e gjyqësorit, të cilave ai u është drejtuar sërish me të njëjtën kërkesë.

Gjykata e Posaçme do të zhvillojë seancën e parë për gjykimin në themel të dosjes në ngarkim të Fredi Belerit, i cili akuzohet se është përfshirë në korrupsion në zgjedhjet e 14 Majit.

Kandidati i zgjedhur për të drejtuar Bashkinë e Himarës do të gjykohet me proces të zakonshëm, sipas zgjedhjes së tij dhe përballë gjykatës do të dalin dhjetëra dëshmitarë dhe provat video dhe audio që SPAK thotë se ka kundër tij. Beleri i ka mohuar akuzat dhe pretendon se nëpërmjet dëshmive do të provojë pafajësinë e tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë