Drejtësia

Shtyhet seanca për Belerin, gjyqtarja e re kërkoi kohë për njohjen me dosjen

Gazeta Si - Seanca gjyqësore që ishte përcaktuar të mbahej sot në lidhje me kryebashkiakun e zgjedhur të Bashkisë Himarë, Fredi Belerin, është shtyrë për në datën 24 tetor, në orën 11:00.

Mësohet se shkak i shtyrjes së seancës gjyqësore, ishte kërkesa e njohjes me dosjen nga ana e gjyqtares së caktuar me short, Flora Hajredinaj, e cila zëvendësoi kolegen Etleva Deda.

Fredi Beleri, i akuzuar për korrupsion në zgjedhje, nuk ishte i pranishëm në sallën e gjyqit këtë të martë, ndërsa nuk munguan përfaqësues të ambasadës greke në Tiranë.

Prej 14 shtatorit, procesi për Belerin nuk është hapur ende. As SPAK as avokatët e Fredi Belerit nuk kanë dëgjuar provat e Prokurorisë nga njëra anë por dhe mbi pafajësinë që këmbëngul kryebashkiaku i Himarës, i zgjedhur por ende jo i betuar në detyrë.

Ai ka depozituar një kërkesë në Gjykatën e Lartë ku kërkon të betohet dhe të njihet dhe të shkojë në krye të detyrës.

Fredi Beleri akuzohet për korrupsion zgjedhor, ku pagoi një qytetar i cili dëshmoi se mori para dhe ia dha qytetarëve në këmbim të votave. Beteja do të vazhdojë e fortë dhe nën syrin e diplomacisë grekëve që kanë qenë të pranishëm në çdo seancë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë