Drejtësia

Shtyhet seanca e Berishës për të qenë në Kuvend, avokati Genc Gjokutaj: Duan t’i djegin mandatin

Gazeta Si - Shtyhet seanca në Apelin e Posaçëm për ish-kryeministrin Sali Berisha, e cila do të mbahej për shkak se ai kishte ka kërkuar leje për të shkuar në Kuvend, pasi është në hetim për aferën e privatizimit të klubit sportiv "Partizani".

Shkak u bë mungesa e prokurorëve, ndërsa mësohet se seanca e radhës do jetë me datë 25 mars, ora 9:00.

Avokatët e Berishës thonë se këto shtyrje kanë për qëllim djegien e mandatit të deputetit Berishës. Genc Gjokutaj, avokati i kreut të opozitës, Sali Berisha, tha se ky është një justifikim skandaloz.

“Prokurorët kishin dorëzuar një shkresë në të cilën thuhej se për arsye profesionale, ata nuk mund të ishin prezent. Sigurisht ky është një sebep, një justifikim, ata janë dy prokurorë, të paktën njëri prej tyre duhet të ishte prezent. Nuk e kuptoj termin arsye profesionale, sepse profesioni i prokurorit është në hetim dhe gjykim. Nuk i di arsyet e tjera, por sigurisht me angazhimin e zotit Rama në punët e tjera, kontakti është shkëputur dhe caktuan një datë tjetër derisa të rivendoset SPAK në kontakt me zotin Rama”, tha Gjokutaj.

Më 12 mars, Gjykata e Posaçme rrëzoi kërkesën tjetër të avokatëve të Berishës dhe dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi për revokim të masave të sigurisë. Sipas trupës gjykuese kërkesat rezultonin të pabazuara në ligj e prova.

SPAK po e heton Berishën me dyshimet se është përfshirë në korrupsion në procedurën e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”. Akuzë e cila është mohuar nga ish-kryeministri që e konsideron hetimin ndaj tij si politikë. Për të njëjtën çështje në arrest shtëpie po qëndron edhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi.

Ish-kryeministri ndodhet i izoluar në banesën e tij që prej 30 dhjetorit 2023 me vendim të GJKKO-së. Ashpërsimi i masës ndaj tij prej SPAK erdhi si pasojë e moszbatimit të vendimit të gjykatës për t’u paraqitur para agjentëve të BKH-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë