Politike

Shtyhet me katër muaj afati i komisionit për shkarkimin e Metës

Edhe pse në një situatë të jashtëzakonshme të krijuar nga tërmetet, mazhoranca nuk harron dhe kërkon shtyrjen e afatit të komisionit të hetimor për shkarkimin e presidentit Meta. Mbledhja e komisionit hetimor ka nisur me një minutë heshtje për 51 viktimat e tërmetit dhe më pas ka vijuar me rendin e ditës, që ishte shtyrja e afatit të komisionit hetimor.

Në këtë mbledhje të Komisioni Hetimor u vendos për shtyrjen e hetimeve me 4 muaj. Kjo mbledhje është drejtuar nga Alban Zeneli, pas mungesës së kryekomisionerit Ulsi Manja. Nënkryetari i komisionit u shpreh se shtyrja me 4 muaj kërkohet për ta nxjerrë këtë punë të saktë, për këtë çështje të rëndësishme.

“Ky komision nuk ka pasur kohë kohën e duhur për tu mbledhur dhe për të shqyrtuar faktet. Kjo ka ardhur edhe për shkak të gjendje në Shqipëri pas tërmetit të rënë. Është e pamundur që afati që është përcaktuar me 8 dhjetor. Është koha e pamjaftueshme për të dalë në një kërkesë sa më ta saktë dhe të drejt ligjor. Shtyrja me 4 muaj kërkohet për ta nxjerrë këtë punë të saktë”, u shpreh Zeneli.

Kjo është hera e dytë që kërkohet shtyrja e afatit të komisionit hetimor. Fillimisht u kërkua me tre muaj, për shkak se duhej të njiheshin me raportin e komisionit të Venecias. Tani që afti i 6 dhjetorit po afron e mbaron, mazhoranca e shikon të arsyeshme që ta shtyjë sërish. Gjithashtu socialistët kanë kërkuar që të zgjerojnë afatin e komisionit hetimor dhe me anë të 56 firmave të mbledhura kërkojnë që të futet si shkelje edhe nxjerrja e dekretit të presidentit Meta për emërimin e Marsida Xhaferllarin si anëtare e Gjykatës Kushtetuese. Kjo kërkesë pritet të përfshihet edhe në rendin e ditës në seancën parlamentare.

Edhe pse konflikti i hapur Presidencë-Qeveri u duk se ra në heshtje pas tragjedisë me tërmetin e 26 nëntorit, kryeministri Rama e kujtoi sërish gjatë një prononcimi nga Durrësi, ku komentoi edhe faktin e mbledhjes së Këshillit të Sigurisë.
“Ne me Presidentin e Republikës jemi në një konflikt të hapur. Kemi një konflikt institucional ekstrem, kemi një komision të ngritur për ta shkarkuar. Presidenti sot na thërret dhe në ça do bëjmë? Do themi nuk do vijmë? Jo. Ne shkuam dhe kemi diskutuar sikur s’ka ndodhur asgjë. Realisht ajo që ka ndodhur është asgjë në raport me këtë që i ka ndodhur të gjithëve. Këtu kushdo që mund të japë një kontribut është i mirëseardhur dhe ne duhet ta përqafojmë. Kjo është ajo që mendoj unë. Pastaj të bësh kalkulime, po shkova atje, ky ma bëri siç ma bëri, kjo mua nuk më intereson”, theksoi Rama.

Këshilli i Sigurisë i mbledhur për situatën e shkaktuar nga tërmeti i 26 Nëntorit

Komisioni hetimor u ngrit nga mazhoranca pas nxjerrjes së dekretit nga ana e presidentit Meta për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit. Për këtë mazhoranca e cilësoi si nul dhe me anë të të rezolute kërkoi që të mos zbatohej dhe që KQZ-ja të zhvillonte zgjedhjet e 30 qershorit. Mazhoranca priti raportin e Venecias, që në fakt e cilësoi jo si tagër e presidentit, por se kjo nuk mund të përbënte shkak për shkarkimin e tij. Ndërsa si kundërpërgjigje, PS ka nxjerrë si argument tjetër si shkelje edhe faktin e mos zbatimit të ligjit për emërimin e anëtares së Gjykatës Kushtetuese, duke e cilësuar antikushtetuese dekretin për caktimin e Xhaferllarit si anëtare, pasi për socialistët anëtare në mënyrë automatike është Arta Vorpsi. Për këtë konflikt ndërkombëtarët kanë propozuar që t’i drejtohen sërish Gjykatës Kushtetuese. Shtyrja e afatit të komisionit hetimor mund të lidhet edhe me faktin se nëse Parlamenti vendos që të shkarkojë Presidentin, atëherë sipas ligjit themeltar të shtetit shqiptar, është Gjykata Kushtetuese që jep vendimin nëse është i drejtë ose jo. E në mungesë të këtij institucioni mazhoranca po detyrohet ta shtyjë edhe afatin e komisionit hetimor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë