Treg

Shtrenjtimi i qumështit dhe vezëve, eksperti: Abuzim nga kompanitë! Të krijohet Task-Forcë

Shtrenjtimi i qumështit dhe vezëve, eksperti: Abuzim nga kompanitë! Të krijohet Task-Forcë

Nga Gazeta ‘SI’ - Shqiptarët po blejnë më shtrenjtë se një vit më parë të gjitha produktet e shportës së konsumit. Rritja më e madhe sipas shifrave të fundit të inflacionit ka ndodhur për produktet e bulmetit dhe vezët, që janë shtrenjtuar me 26.4% nga viti i shkuar, kur patën arritur çmime rekord. Spiralja e nxitur dikur nga tregjet e jashtme është tashmë tërësisht lokale.

Eksperti i blegtorisë, Ervin Resuli shpjegon se për Gazetasi.al thelbi i kësaj zallamahie janë kompanitë përpunuese dhe tregtuese të qumështit, të cilat nuk e justifikojnë dot rritjen e çmimit.

“Kompanitë e qumështit, kanë ulur me tre herë çmimin e qumështit që mbledhin tek fermerët dhe kjo nuk është reflektuar në treg. Ata kanë ulur çmimin kur e grumbullojnë tek fermerët dhe e kanë rritur kur e nxjerrin në treg. Ky është abuzim”, thotë Resuli i cili shton se edhe zhvlerësimi i euros duhet të kishte ulur çmimin fundor të bulmetit.

Për vezët, eksperti Resuli thotë se rritja është e arsyeshme pas goditjes së madhe që mori industria nga gripi i shpendëve dhe asgjësimit masiv të tyre.

“Gripi i shpendëve krijoi një vakum dhe i goditi fort kompanitë e vezëve. Atëherë veza arriti 50-70 lekë për kokërr, pasi oferta ishte e ulët. Industria është ende në fazë rikuperimi dhe miliona eurot e humbura duhet t’i marrë mbrapsht”, thotë Resuli.

Për të, e vetmja zgjidhje e kësaj spiraleje është krijimi i një Task-Force nga qeveria, ku monitorohet tregu dhe targetohen abuzuesit. Resuli e quan tregun e bulmetit në vend, kartel, ku kompanitë me më shumë ndikim vendosin bashkërendim të çmimeve me kompanitë e tjera.

Një dyshim të tillë e ka edhe Autoriteti i Konkurrencës, i cili para pak javësh hapi një hetim të thelluar për të gjitha kompanitë e përpunimit të qumështit në Shqipëri, për abuzim me pozitën në treg.

Të njëjta kompani lobuan fort një vit më parë, që qeveria të mos taksonte qumështin pluhur me normën 100 lekë/litër, siç ishte parashikuar, dhe ia dolën. Në të njëjtën periudhë, u vendos të hiqej TVSH-ja për qumështin e importuar, duke e favorizuar atë dhe duke goditur blegtorinë vendase.

Në fillim të këtij viti, blegtorët e qyteteve të jugut u mblodhën në aksin Kardhiq-Delvinë dhe po protestonin kundër grumbulluesve të qumështit, që blinin produktin 60 lekë më lirë, ndonëse kostot e ishin shtuar. Fermerët, që i referohen këtyre kompanive si ‘monopol’ thonë se nëse nuk marrin një përgjigje pozitive, ata do të shesin bagëtitë e tyre dhe do të braktisin Shqipërinë. Ministria e Bujqësisë nuk i dha atyre asnjë zgjidhje konkrete, por i sugjeroi të dialogonin me grumbulluesit e qumështit, kur problemi i tyre është shumë më i madh se komunikimi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë