Treg

Blegtorët kundër ‘monopolit të fabrikave’. Bllokojnë aksin Kardhiq-Delvinë: Të stabilizohet çmimi i qumështit

Nga Gazeta ‘Si’ - Rreth 100 blegtorë kanë bllokuar rrugën nacionale Kardhiq-Delvinë në shenjë proteste.

Zemërimi i tyre është nxitur nga ulja drastike e çmimeve të qumështit nga fabrikat përpunuese, nga 180 lekë të reja për litër vitin e shkuar, në 120 lekë të reja për litër sot.

Ervin Resuli, president i Urdhrit të Mjekut Veterinar dhe ekspert blegtorie thotë për Gazetasi.al se kjo ulje çmimi ka sjellë një krizë të thellë financiare për blegtorët duke i detyruar disa prej tyre të mbyllin bizneset apo të heqin dorë nga mbarështimi i bagëtive.

Ai deklaron se këto protesta, të nisura nga blegtorët në zonën e Vlorës, do të shtrihen ditët në vijim në të gjithë Shqipërinë.

Kjo ulje çmimi ka sjellë një krizë të thellë financiare për blegtorët, shprehet Resuli

“Blegtorët, të zemëruar dhe të vendosur, kërkojnë një rishikim të çmimeve të qumështit dhe shpërbërjen e asaj që ata e perceptojnë si një monopol të fabrikave përpunuese. Ata argumentojnë se këto fabrika kanë ushtruar një ndikim të padrejtë mbi treg dhe kanë trajtuar blegtorët si skllevër të vitit 2023, duke i lënë ata pa një mjet të drejtë jetese. Protestuesit kërkojnë një çmim më të drejtë për qumështin që mundëson mbijetesën e tyre dhe e mbron industrinë vendase”, thekson ai ndërsa shton se nëse nuk ka një zgjidhje të shpejtë nga fabrikat ose instancat shtetërore, blegtorët do të marrin masa duke përfshirë dhe refuzimin demonstrativ të dorëzimit të qumështit.

Resuli shprehet se ata gjithashtu duan të ndërgjegjësojnë opinionin publik për rëndësinë e mbështetjes së produktit vendas dhe pasojat e importeve si qumështi pluhur dhe vaji i palmës.

Një nga blegtorët e pranishëm në protestë deklaroi për mediat se nëse nuk do të merren masa, ai do të shesë dhentë dhe do të largohet jashtë shtetit.

“Në shenjë proteste bllokojmë rrugën që ta kuptojnë të gjithë. Ne jemi njerëz, të vijnë e të na takojnë. Mos të rrinë në zyrat luksoze që i kanë mobiluar me paratë që BE-ja jep për ne dhe i kanë kthyer në ofiqet e tyre. Të vijnë të na takojnë, jemi njerëz, jetojmë në këtë vend, i japim të ardhura këtij vendi. 

Kam 150 dhen, për ta kam harxhuar 15 milionë lekë. Të ulen çmimet ose ta bëjnë qumështin 2 mijë lekë se tre kile qumësht i thonë 3 kile djathë. Baxhoxhiu e shet kilen e djathit me 13 mijë lekë. Nëse ai e shet me 8 mijë lekë, jemi dakord ne. I lutemi shtetit të marrë masa për këto punë, ose dhentë do shiten dhe do ikim jashtë shtetit”, deklaroi ai.

Një tjetër paralajmëroi se përpos bllokimit të rrugëve, do të derdhin edhe qumështin.

“Si individ unë kam të paktën 180 kuintal qumësht. Në drejtim të qumështit nuk ka subvencione nga shteti, vetëm për blegtorinë, 30 mijë lekë për 300 krerë që kam. Sot e kemi filluar me metoda të dialogut, nesër do bllokojmë edhe rrugën dhe do derdhim qumështin. Përfitojnë kompanitë serbe që prodhojnë, se kompanitë tona nuk prodhojnë qumësht këtu. Edhe barinjtë janë detyruar këtu tani të shesin bagëtitë. Këta janë djem të rinj dhe nuk u del. Nuk kanë më mundësi ta përballojnë”, deklaroi ai.

Prej disa kohësh sektori i blegtorisë në Shqipëri ka hyrë në rënie të lirë. Referuar shifrave zyrtare pesë vitet e fundit numri i krerëve të blegtorisë ka rënë ndjeshëm. Në 2022-shin numëroheshin rreth 298 gjedhë krahasuar me 337 që ishin në vitin 2021.

Për 2023-shin, ende nuk janë publikuar statistikat zyrtare.

Një nga arsyet e tjera që nxiti krizën në blegtori është edhe rritja e kostove të ushqimit për bagëtitë.

“Vetëm për të justifikuar koston e ushqimit, një lopë duhet të prodhojë të paktën 28-30 litra qumësht në ditë, por ndërkohë bizneset e fermave përballen me kosto të tjera të fuqisë punëtore, transportit etj”, deklaroi më herët Resuli për Gazetasi.al.  


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë