Njerez

Shtohen rastet e dhunës seksuale (dhe në internet) tek fëmijët

Efektet e plota të pandemisë dhe izolimit po vërehen vetëm tani, pas 3 vitesh.

Sipas Fondacionit Internet Watch(IWF), shfrytëzimi i fëmijëve në internet është rritur 10-fish që nga izolimet e pandemisë.

Uebsajtet e mediave sociale shpërthyen në popullaritet në fillim të vitit 2020 kur filloi pandemia.

Vitin e kaluar IWF regjistroi më shumë se 63,000 faqe në internet që shfaqnin materiale të papërshtatshme krahasuar me 5000 para pandemisë.

"Gjatë pandemisë, interneti ishte një mjet shpëtimi, por ne vetëm tani po zbërthejmë efektet e plota", tha shefja ekzekutive e IWF, Susie Hargreaves.

Në përgjithësi, IWF gjurmon, heton dhe përpiqet të heqë qindra mijëra incidente të materialeve të abuzimit seksual të fëmijëve nga interneti në mbarë botën.

Altin Hazizaj, drejtori i CRCA, Qendra për të drejtat e fëmijëve në Shqipëri thotë për Gazetasi.al se përveç raportimeve të dhunës në internet, janë shtuar edhe raportimet për dhunën seksuale.

“Nuk kishte ndodhur kurrë që në një ditë të raportoheshin 3 raste të dhunës seksuale ndaj fëmijëve”, thotë Hazizaj.

Hazizaj tregon se rritja e raportimeve lidhet ngusht me rritjen e rasteve të dhunës seksuale por edhe është rritur ndërgjegjësimi.

“Janë shtuar rastet por edhe është rritur ndërgjegjësimi. Fëmijët nuk kanë më frikë të raportojnë”, thotë Hazizaj.

Më parë, Hazizaj ka pohuar se dy vitet e fundit janë shtuar raportimet për pornografi në internet nga fëmijët, kryesisht janë djemtë që raportojnë se motrat ose shoqet e tyre kanë rënë pre e ngacmimeve dhe dhunës në internet.

Fondacioni shkruan se ka rritje të materialeve të krijuara vetë nga fëmijët.

“Videot dhe imazhet e abuzimit të fëmijëve të krijuara nga vetë fëmijët tani përbëjnë dy të tretat e imazheve të studiuera nga analistët”.

Kjo i referohet imazheve të fëmijëve që abuzojnë seksualisht me veten në kamera ndërsa detyrohen nga një person në internet.

Studiuesit thonë se shumë nga videot janë regjistruar ose transmetuar nga dhomat e gjumit ose banjot.

Videot regjistrohen pa dijeninë e fëmijës me synimin për t’u ndarë dhe shitur nga pedofilët.

Nga imazhet, të cilat Fondacioni thotë se duken fëmijë 7 deri në 10 vjeç, më shumë se 8 mijë imazhe përmbanin material që klasifikohen si material i Kategorisë A, lloji më i rëndë i abuzimit seksual.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë