Njerez

Shtohen misteret e vdekjes së Pantanit, dikush ishte me të në hotel

Shtohen edhe më tepër misteret e vdekjes së çiklistit të famshëm italian, Marko Pantani. Një general i lartë i “Guardia di Finanza” ka rindërtuar momentet e fundit të jetës së “Piratit”, siç njihet nga të gjithë, përpara komisionit të antimafias. Policia e kishte konsideruar të mbyllur hetimin për vdekjen e çiklistit, duke e cilësuar një vetëvrasje, pas konsumit të një përzierje drogash të forta, por nëna e tij, Tonina, gjithmonë ka thënë se ia kanë vrarë djalin.

"Kur Marko Pantani ndërroi jetë, dikush ishte me të në dhomën e hotelit”. Ky është përfundimi që ka nxjerrë Umberto Rapeto, gjeneral brigade i “Guardia di Finanza”, përpara komisionit antimafia. Rapeto është munduar të rindërtojë skenën e momentit, kur çiklisti i famshëm ndërroi jetë, duke analizuar disa pika të errëta të hetimeve. "As që mund të mendohet se ka qenë ai vetë që e ka shtrirë krahun në atë mënyrë përpara frymës së fundit. Dikush ishte me të, patjetër”, - ka pohuar gjenerali. Një version ndryshe nga ai që ishte konfirmuar deri tani.

Hoteli në Rimini, ku u gjet pa jetë Marko Pantani

Rapeto ka sjellë në vëmendje të hetuesve të çështjes edhe një detaj tjetër: një top të vogël të bardhë që ishte në dhomën e hotelit, pranë trupit të Pantanit dhe që kishte mbetur i patrazuar në pellgun e gjakut, sikur të ishte hedhur aty me një grep peshkimi. Në fund, gjenerali Rapeto ka folur edhe për hotelin në Rimini, ku kishte qëndruar Pantani gjatë ditëve të fundit të jetës: "Kishte kate të nëndheshme dhe garazhe. Ai hotel ndoshta nuk përdorej vetëm për pushime, por ndoshta edhe për të kaluar disa orë në intimitet”, - është shprehur gjenerali Rapeto, duke shtuar kështu misteret e vdekjes së çiklistit.

Marko Pantani u gjet pa jetë më 14 shkurt të vitit 2004, në një rezidencë në Rimini. Për atë ngjarje është folur shumë dhe dyshimet kanë ekzistuar gjithmonë, nëse ishte vrasje apo vetëvrasje. Varianti i fundit, i ngritur nga drejtuesi i lartë i policisë, e bën edhe më të mistershme atë ngjarje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë