Biznes

Shtohen fluturimet, bie numri i pasagjerëve në linjat detare

INSTAT ka raportuar të mërkurën se numri i pasagjerëve që udhëtojnë me linjë detare ka shënuar ulje në dy muajt e parë të vitit krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në dymujorin e parë të 2019-ës, kanë udhëtuar me linjë detare 101.730 pasagjerë, duke shënuar një ulje me 1,9 %, krahasuar me dy muajt e parë të vitit 2018-të.

Gjithashtu, në ymujorin e parë 2019, volumi i mallrave të ngarkuara/shkarkuara në porte është 607 mijë ton, duke u ulur me 6,2 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2018.
Në dymujorin e parë të vitit 2019, mallrat e eksportuara me det zënë 63,6 %, me rrugë 34,6 % dhe me ajër 0,3 %.

Mallrat e eksportuara me rrugë, në dymujorin e parë të vitit 2019, janë rritur me 2,9 % ndërsa me det janë ulur 7,5 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës.

Por në të njëjtën kohë është rritur transporti i pasagjerëve nëpërmjet ajrit.
Gazeta “Si” është interesuar në disa agjenci udhëtimesh në kryeqytet për të shpjeguar fenomenin.

Sipas agjentëve të kontaktuar, biletat e trageteve nuk kanë pësuar ndryshime krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Por ata e shpjegojnë fenomenin me rritjen e frekuencave të linjave ajrore dhe uljen e çmimit të biletave të avionëve si rezultat i konkurrencës pasi, siç thonë agjencitë e udhëtimeve shtimi i destinacioneve ka ndikuar në uljen e çmimit të biletave.

Sipas tyre, biletat e avionëve gjatë dimrit kanë qenë më të ulta krahasimisht me biletat e trageteve për të njëjtat destinacione.

Kurse eksportuesit në lidhje me rënien e eksport përmes detit vazhdojnë të këmbëngulin se kriza në radhët e kompanive si rezultat i mosrimbursimit të TVSH-së, zhvlerësimi i euros, rritja e pagës minimale dhe së fundmi TVSH-ja për produktet primare bujqësore ka ndikuar në rënien e eksporteve përmes detit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë