Histori

Shteti i Konektikat po liron nga akuzat shtrigat e dënuara para 4 shekujve

Në 1642-shin, kolonia e Konektikatit, miratoi një listë me 12 krime kapitale, përfshirë vrasjet, pengmarrjet, mashtrimin dhe magjinë. Pesë vitë me vonë, Alse Young  qe personi i parë që u ekzekutua për magji. Më 26 maj 1647 ajo u var në shtëpinë Hartford, tani Shtëpia e Vjetër e Shtetit.

10 të tjerë u ekzekutuan po për magji nga 1647 në 1697-n. Më shumë se 375 vjet pasi Young u ekzekutua, falja e saj mund të jetë afër.

Muajin e shkuar, një komitet gjyqësor i legjislaturës së shtetit ra dakord të shqyrtonte një rezolutë që do të shfajësonte të akuzuarit për magji në Konektikat. Në një seancë dëgjimore më 1 mars, William Schloat, një 9-vjeçar dëshmoi se ai dëshironte të kishte një makinë kohë që të ndihmonte të akuzuarit për magji.

John Kissel, një senator republikan i shtetit, pyeti veten për rolin e shtetit në çdo shfajësim, pasi gjyqet u zhvilluan përpara se të ekzistonin Shtetet e Bashkuara, kur Konektikati ishte një koloni: "Sapo të shkoni në atë rrugë, ku përfundon ajo?" Luther Weeks, një pasardhës që mund të ketë qenë i përfshirë në ndjekjet penale, u kundërpërgjigj se shteti nuk kishte asnjë problem kur shijonte aspektet pozitive të historisë koloniale; duhej të pranonte edhe anën e errët.

Shumë të akuzuar për magji ishin të pambrojtur. Një grua shtatzënë e pamartuar ishte objektiv i shpeshtë. Young, një e sapoardhur, mund të ketë qenë në shënjestër sepse disa menduan se ajo shkaktoi një shpërthim të gripit atë kohë. Beth Caruso, bashkëthemeluese e Projektit të Shfajësimit të Gjyqit të Shtrigave në Konektikat i përbërë nga historianë amatorë dhe pasardhës, thotë se paraardhësja e burrit të saj u gjet fajtor për magjepsjen e një arme që kishte vrarë aksidentalisht dikë tre vjet më parë, edhe pse ajo nuk ishte aty. Disa mund të jenë detyruar të rrëfehen. Shumë e takuan fundin e tyre në trekëmbësh. Të tjerët u përballën me testin e rosës: shtrigat e dyshuara u hodhën në ujë; i pafajshmi u fundos dhe fajtori lundroi.

Sarah Jack, bashkë-prezantuese e "Thou Shalt Not Suffer", një podcast për gjyqet e shtrigave, zbuloi tre vjet më parë se ajo ishte një pasardhëse e Winifred Benham, personi i fundit i akuzuar për magji në Konektikat. "Isha konfuze," thotë ajo. "Nuk e kisha idenë se kishte më shumë gjyqe shtrigash jashtë Salemit.

“Nxënësit e shkollës mësojnë për gjyqet e shtrigave që u zhvilluan në Massachusettsin fqinj.” Arthur Miller, një dramaturg, përdori gjyqet e vitit 1692 si një alegori të panikut antikomunist. Salem, zemra e histerisë, ka përqafuar historinë e tij dhe është bërë një pikë turistike e magjisë.

Massachusetts ka bërë disa përpjekje për të “larë gjynahet”. Në 1702 Gjykata e Përgjithshme shpalli gjyqet të paligjshme. Një dekadë më vonë shteti i rrëzoi dënimet. Në 1957 dhe 2001 më shumë shtriga të akuzuara u shfajësuan. Falë përpjekjeve të fëmijëve që punonin në një projekt historie, shtriga e fundit e akuzuar u lirua nga akuzat verën e kaluar. Gjithashtu vitin e kaluar Nicola Sturgeon, në atë kohë ministri i parë i Skocisë, kërkoi falje pas vdekjes për mijëra njerëz të persekutuar si shtriga në Skoci.

Por në Konektikat përpjekjet kanë qenë të suksesshme vetëm në nivel lokal. Këshilli i qytetit në Windsor, ku jetonte Young, e shfajësoi atë në vitin 2017. Përkrahësit e projektligjit shpresojnë se një gjurmë historie që kujton të akuzuarit do të ishte kuptimplotë. Disa thonë se ligjvënësit kanë çështje më të rëndësishme për t'u marrë se sa të shfajësojnë të vdekurit e para gati katër shekujve. Jane Garibay, e cila e prezantoi projektligjin në Dhomën e Përfaqësuesve të shtetit, thotë se çdo padrejtësi ia vlen të korrigjohet. "Ishte një gabim," thotë ajo. Projektligji është për të thënë  ”se na vjen keq"./TheEconomist


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë