Mode

Shtëpitë luksoze të modës po derdhin miliona dollarë në Metaverse. Por me çfarë çmimi?

Kur një çantë virtuale Gucci Dionysus u shit në internet për ekuivalentin e 4115 dollarëve vitin e kaluar, nuk ishte vetëm çmimi që u bë titull por ishte fakti që një çantë e tillë në jetën reale blihej 700 dollarë më pak.

Shuma katërshifrore, e paguar nga një përdorues në platformën e lojrave Roblox, ishte një ndryshim për një markë që gjeneroi të ardhura prej 9.7 miliardë dollarë në vitin 2021. Në fakt, gjigandi italian fillimisht kishte shitur çantat dixhitale për vetëm 475 "Robux " (ekuivalente me nën 6 dollarë) secila, me çmimet astronomike të arritura vetëm më vonë në tregun e rishitjes.

Ajo që tregoi ky moment është se ka njerëz që vlerësojnë po aq, nëse jo më shumë veshjet e tyre dixhitale sa ato fizike.

Kjo është një ide që ka transformuar industrinë e modës në dy vitet e fundit. Nga Balenciaga që shet në Fortnite tek Ralph Lauren që lançoi një linjë veshjesh dixhitale në platformën e Koresë së Jugut Zepeto, markat luksoze kanë nxituar të jenë pjesë e kësaj bote dixhitale.

Pavarësisht nëse këto platforma janë pjesë e të ashtuquajturit "metaverse" apo thjesht lojëra online, miliona njerëz po e kalojnë kohën e tyre në mjedise dixhitale. Duke shfrytëzuar këtë rast, markat kryesore po krijojnë dyqane, çmime dhe koleksione veshjesh në botën virtuale.

"Markat e modës ishin veçanërisht të ngadalta në mediat sociale, thotë Charles Hambro i cili ka një kompani që ndihmon markat se si të bëhen pjesë e metaverse, duke shpjeguar se në mesin e viteve 2000, markat shpërfillnin platformat e reja të atëhershme si Facebook.

"Ato nuk duan të vonohen përsëri".

"Ka 3.2 miliardë njerëz që luajnë lojëra tani, dhe ata nuk po hyjnë vetëm në këto botë virtuale për të luajtur, ata gjithashtu, në mënyrë thelbësore, po futen në një botë tjetër për t'u shoqëruar", shtoi ai.

"Nëse një markë dëshiron të jetë e rëndësishme, është me të vërtetë e rëndësishme që të lidhen me këtë audiencë".

Në vlerën monetare, veshjet dixhitale janë vetëm një burim tjetër të ardhurash për markat luksoze. Seria e parë NFT e Dolce & Gabbana, një koleksion me nëntë pjesë që përmban fustane, kurora dhe një kostum burrash, u shit për 5.7 milionë dollarë.

Gjithashtu bota virtuale u jep markave klientë të rinj, të cilët mund të mos kenë blerë kurrë në një dyqan të një marke të shtrenjtë.

Në rastin e Gucci-t, e rëndësishme për ta ishte se hapësira e tyre virtuale u vizitua nga 20 milionë përdorues.

Markat po bëjnë gjithashtu gjithnjë e më shumë veshje që mund të integrohen në jetën e njerëzve në internet, në vend që thjesht të përsëriten në jetën reale.

Identitetet dixhitale

E quajtur shpesh "stilistja e parë në metaverse", stilistja britanike Gemma Sheppard thotë se, ashtu si moda e jetës reale, kreativiteti dhe veshjet janë në qendër të vëmendjes në mënyrë dixhitale.

"Dy vjet më parë, një i njohuri im më kërkoi disa këpucë për avatarin e tij”, kujton Shepperd.

Në atë kohë, ato ishin ekuivalenti me 70 dollarë dhe aty ajo kuptoi sa të rëndësishme e kanë njerëzit që të veshin bukur avatarët e tyre.

Rreth 70% e konsumatorëve amerikanë, nga gjeneratat X deri në Z, tashmë e konsiderojnë identitetin e tyre dixhital si "të rëndësishëm", sipas një studimi të vitit 2021 nga The Business of Fashion. Dhe këshilla e Sheppard-it për markat është të përfitojnë nga kjo gjë.

Kjo gjithashtu mund t'u ofrojë markave një shans për të testuar dizenjot fizike përpara se të fillojnë ti prodhojnë.

Gjithsesi, e ardhmja e botës dixhitale mbeten e panjohur dhe asnjëra nga markat e njohura nuk e di si do të shkojë gjithë kjo dhe tani për tani duket sikur po luajnë bixhoz me milionat e tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë