Ngjarje

Shtatë vjet pas zhdukjes së Mariglen Gjonajt arrestohet autori, policia: E vrau për varësen dhe orën ‘Rolex’

Gazeta Si - Pas zbulimit të eshtrave kockore të gjetura në Kurbin në 3 prill të këtij viti, që i përkasin 16-vjeçarit të zhdukur në vitin 2015, Mariglen Gjonaj, zbardhet vrasja që tronditi opinionin publik, ku është arrestuar dhe autori i dyshuar.

Ngjarja e ndodhur 7 vite më parë, është zbuluar së fundmi nga Policia e Lezhës, e cila deklaron se Gjonaj u vra nga Kristian Cenaj me qëllimin për ta vjedhur.

Adoleshenti mbeti viktimë e vjedhjes me dhunë të varëses së floririt dhe orës "Rolex" që kishte në dorë.

Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, Drejtues i Parë Vehbi Bushati dhe Prokurori i Prokurorisë Kurbin, Bardhyl Shehu, dolën sot në konferencë për median për të dhënë detaje të operacionit të koduar "PRITJA”.

“Pas një hetimi disa vjeçar, është bërë dokumentimi me prova ligjore i ngjarjes në vitin 2015, ku u zhduk në rrethana misterioze i mituri Mariglen Gjonaj”, - njoftoi policia.

Më 3.3 2022 në afërsi të Hidrovorit në Fushë Kuqe u gjetën eshtra e mbetje kockore që rezultoi se i përkisnin shtetasit të zhdukur 7 vite më parë Mariglen Gjonaj.

Pas rifillimit të hetimeve, pas marrjes së dëshmive, ballafaqimeve dhe analizës së tabulateve e qelizave telefonike, policia ka identifikuar autorin e ngjarjes, shtetasin Kristjan Cenaj 30 vjec, lindur në Mamurras e banues në Kurbin.

Sipas policisë, një ditë më parë Cenaj është arrestuar, i akuzuar për veprën penale  “vjedhje me pasojë vdekjen”.

Edhe pse i arrestuari ka vijuar të mbajë qëndrim mohues, Policia e Lezhës deklaroi se janë të gjitha provat që Cenaj është autori i vrasjes.

I mituri, kur është larguar nga banesa ditën e ngjarjes në Kurbin, ka pasur bizhuteri dhe një orë tepër të shtrenjtë në dorë, “Roleks”, të cilat kapnin një vlerë 10 milionë lekë të vjetra.

Gjithçka nisi më 19 maj 2015, kur në policinë e Kurbinit xhaxhai bëri denoncimin se nipi i tij vetëm 16 vjeç nga fshati Ferrë Trashë i Kurbinit, ishte zhdukur në rrethana misterioze dhe pa lënë asnjë gjurmë.

Mariglen Gjonaj, nxënës i klasës së 10-të në gjimnazin e Mamurrasit në 2015, ka shkuar si çdo ditë tjetër në shkollë më 18 maj.

Por ai nuk është kthyer në orarin e zakonshëm dhe as në darkë, ç'ka ka vënë në alarm familjen e tij. Ata kanë bërë denoncim në polici, por ndonëse kjo e fundit nisi hetimet, nuk patën asnjë të dhënë.

Ditën që adoleshenti u largua nga banesa për në shkollë, nuk kishte marrë as telefonin me vete. Nëna e tij, Luljana Gjonaj i bëri apel shtetit ta ndihmont për të gjetur të birin.

Zbulimi i eshtrave të Mariglenit më 3 prill 2022 në vendin e quajtur “Shëllinx”, në afërsi të Hidrovorit, në fshatin Adriatik, Njësia Administrative Fushë Kuqe, Kurbin, solli rihapjen e hetimeve.

Ekspertimi biologjik zbuloi se eshtrat dhe mbetjet kockore humane, i përkisnin shtetasit të zhdukur 7 vjet më parë, të miturit 16-vjeçar Mariglen Gjonaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë