Ngjarje

Eshtrat në Kurbin dyshohet se janë të adoleshentit të zhdukur para 7 vjetësh

Gazeta Si - Pas verifikimeve të para, policia ka ngritur dyshimet se eshtrat e gjetura një ditë më parë në Fushë-Kuqe të Kurbinit, mund t'i përkasin 16-vjeçarit Mariglen Gjonaj nga Mamurrasi, i zhdukur që prej muajit maj të vitit 2015.

Familjarët kishin denoncuar rastin në polici, duke deklaruar se ditën që ka humbur kontaktet, djali i tyre ka pasur me vete një orë të shtrenjtë “Roleks”, si edhe disa bizhuteri, të cilat kapnin vlerën e 1 milion lekëve të reja.

Në atë kohë, thanë se nuk kishin kontakt me të birin, i cili ishte nisur për në shkollë si normalisht dhe nuk ishte kthyer më.

Familjarët e Gjonajt ngritën dyshime në polici se kishin frikë se dikush mund t’i ketë bërë keq të riut, pasi kishte me vete sendet e vlerë.

Në ditën e zhdukjes, ai nuk kishte as telefon celular me vete, që mund ta çonte policinë drejt gjurmëve.

Pavarësisht veprimeve që janë kryer përgjatë 7 viteve nuk është arritur të zbulohen gjurmët e të riut.

E vetmja mënyra për të zbuluar identitetin e viktimës, është kryerja e testit të ADN-së te familjarët e personave që janë shpallur të zhdukur në zonën përreth.

Sipas burimeve paraprake, në zonë janë disa persona të zhdukur, por nisur edhe nga madhësia e eshtrave, policia pritet të nisë verifikimet nga familjarët e adoleshentit nga Mamurrasi të zhdukur shtatë vite më parë.

Një ditë më parë, një skelet njeriu është gjetur në afërsi të Fushë Kuqes në Kurbin, në disa ferra në një zonë rurale pranë fshatit Adriatik. Kanë qenë banorët e zonës ata që gjetën eshtrat e njeriut dhe lajmëruan policinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë