Ka ndodhur

Dyshohet se vrau 16-vjeçarin për ta vjedhur, Kristjan Cenaj lihet në burg

Gazeta Si - Gjykata e Kurbinit ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për Kristjan Cenajn, i cili akuzohet se vrau 16-vjeçarin Mariglen Gjonaj në vitin 2015.

Sipas policisë dhe prokurorisë, 7 vite pas vrasjes, është arritur të provohet se Cenaj ka vrarë Gjonajn për t'i vjedhur një orë “Rolex” dhe një varëse floriri.

Cenaj mësohet se ka mohuar vrasjen, ndërsa në një deklaratë për media policia dhe prokuroria e Lezhës thanë se kanë arritur të provojnë autorësinë e vrasjes.

Kristjan Cenaj u arrestua sapo zbriti në aeroportin e Rinasit, pasi po vinte nga Italia.

Shtatë vite pasi u zhduk në mënyrë misterioze, policia ka konfirmuar para 3 ditësh se 16-vjeçari, Mariglen Gjonaj është vrarë për t’i marrë disa sende me vlerë.

Në një dalje për mediat, Drejtori i Policisë së Lezhës, Vehbi Bushati ka deklaruar se eshtrat e gjetura në prill të këtij viti, i përkisnin të miturit, i cili nga hetimet ka rezultuar se është vrarë nga 30-vjeçari me të cilin kishte pasur miqësi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë