Lajme

Shqiptari vret me pistoletë partneren 19-vjeçare në Greqi, dyshohet për xhelozi

Gazeta Si - Një 25-vjeçar ka vrarë me armë zjarri partneren e tij 19-vjeçare për motive xhelozie në kryeqytetin grek të Athinës.

Sipas të dhënave të mediave greke, edhe vajza që mbeti e vrarë është gjithashtu me origjinë shqiptare.

Krimi ndodhi në orët e para të mëngjesit të së shtunës, kur të dy ishin kthyer në shtëpi pas punëve respektive.

Pas vrasjes, autori, identiteti i të cilit nuk është bërë publik, shkoi vetë në polici dhe u dorëzua.

Ai u tregoi hetuesve se kishte vrarë partneren e tij 19-vjeçare. Sipas tij, ai ishte xheloz për të dashurën.

Fillimisht ka patur një sherr mes tyre, sipas raportimeve nga mediat greke që i referohen burimeve policore për dëshminë e 25-vjeçarit.

Më pas, e qëlloi dy herë me pistoletë 19-vjeçaren duke e lënë të vdekur në vend. Dyshohet se shqiptari ka qenë edhe nën efektin e kokainës kur vrau partneren.

Ai u ka treguar hetuesve grekë se pistoletën ua kishte marrë disa rumunëve një vit më parë.

Pas vetëdorëzimit të shqiptarit, policia shkoi në banesën e çiftit dhe aty gjeti trupin e pajetë të 19-vjeçares shqiptare. Autori është arrestuar.

I riu punonte në një lokal nate, ndërsa viktima në një dyqan në lagjen “Kalithea” të Athinës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë