Biznes

Shqiptarët mund të bëhen pjesë e fondeve të investimit në BE. AMF licencon Intesa-n dhe Eurizon

Nga Gazeta ‘SI’ - Shqiptarët do të munden të investojnë edhe në fondet e investimit në shtetet e BE-së. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka licencuar Intesa Sanpaolo Bank Albania dhe Eurizon Capital S për t’i dhënë këtë shërbim qytetarëve shqiptarë.

Intesa Sanpaolo do të veprojë si ndërmjetës për tregtim dhe marketim të aksioneve/sipërmarrjeve të huaja për investime kolektive që emetohen nga Eurizon Capital S.A që hyn për herë të parë në tregun shqiptar.

Fondet e Investimit janë një alternativë investimi ku asetet mund të grupohen dhe të krijohen portofole investimi, të cilat cilësohen si shumë të vështira për t’u krijuar nga një investitor individual në mënyrë të pavarur. Kthimi nga investimi në fond është në varësi të kushteve në treg, karakteristikave të fondit dhe strategjisë së investimeve që fondi vë në zbatim. Fondi i investimit nuk mund të garantojë një kthim të caktuar, si në rastin e depozitave. Ato kanë vetëm një tarifë administrimi, vjetore.

Pak kohë më parë, FMN i rekomandoi AMF-së të ushtrojë më shumë kujdes dhe të fokusohet në rritjen e këtij segmenti si një element me rëndësi për tregun financiar vendas.  


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë