Njerez

Shqiptarët luten për kthimin e të afërmve që janë në radhët e ISIS

Shumë familje në Ballkan janë duke i’u lutur autoriteteve për të kthyer të afërmit e tyre që kanë shkuar në radhët e shtetin islamik, ISIS.
Xhetan Ndregjoni, 50 vjeç, një administrator në një kompani ndërtimi në Tiranë, thotë se nuk do ta harrojë kurrë datën 27 janar 2014, kur kunati i tij u largua nga Shqipëria bashkë me dy fëmijët (mbesën dhe nipin e Ndregjoni) që aso kohe ishin shtatë dhe nëntë vjeç.
E gjitha familja besonte se Shkëlzen Dumani po i çonte fëmijët në Malin e zi për një festë, por tre ditë më vonë, i njoftoi se ata ishin bashkuar me luftëtarët e Shtetit Islamik në Siri, të cilët për katër vjet radhazi krijuan terror në mbar botën.
“Unë mund të shkruaj një libër ose një skenar filmash për të gjitha momentet që kam folur me anëtarët e ISIS-it. Në kemi jetuar ferrin në tokë” tha Ndregjoni.
Përballjet e shumta të shteteve me ISIS-in kanë arritur shumë herë pikën kulmante, pasi kalifati u përhap në pjesë të mëdha të Sirisë dhe Irakut, edhe pse tani është reduktuar dhe gjendet vetëm në Deir ez-Zor, një provincë e Sirisë Lindore.
Shumë gra dhe fëmijë që kanë arritur të shpëtojnë, janë strehuar në kampet e refugjatëve të drejtuar nga aleancat qeveritare të mbështetura nga SHBA dhe Forcat Demokratike të Sirisë. Ka shenja se mbesa dhe nipi i Ndregjonit të jenë në mesin e tyre, ashtu si shumë familje të tjera nga Ballkani Perëndimor. Ndregjoni i bën thirrje autoriteteve në Shqipëri dhe aktorëve të tjerë të ndërkombëtarë për t’i identifikuar ata në kampet e refugjatëve dhe të kthehen në shtëpi sa më shpejt.
“Ata kanë vuajtur shumë dhe ne kemi pritur shumë. Gjithë pjesën tjetër të jetës do jem mirënjohës për këdo që mund të më sjellë nipin dhe mbesën time,” shton ai.

Xheran Ndregjoni

Një raport i publikuar në mars të vitit 2017 nga Instituti Shqiptar i Studimeve Ndërkombëtare, tregoi se numri i luftëtarëve nga Shqipëria që hynë në Siri dhe Irak arriti kulmin, kur u larguan nga 90 deri në 150 persona, midis tyre edhe 31 fëmijë.
Është e paqartë se sa shqiptarë mund të jenë gjallë në kampet e refugjatëve. Ndregjoni tha se askush në familjen e tij, nuk do ta besonte kurrë se burri i motrës, Dumani, do të ishte i aftë për një akt të tillë. Ai besohet të jetë vrarë në Siri në vitin 2014.
“Ai nuk ishte vetëm kunati im, por edhe bashkëpunëtori im, pasi ne kemi punuar së bashku në kompaninë e ndërtimit për vite. Ishte një nga njerëzit më paqësorë dhe të qetë që kam parë ndonjëherë. Unë nuk mund të imagjinoj se si u shndërrua në një luftëtar i ISIS-it,” tha Ndregjoni.
Dumani kishe lindur në Dibër, por prej vitesh jetonte në Tiranë dhe kur u nis, ai kishte mashtruar gruan e tij, për të nënshkruar një prokurë se ajo ishte dakord që fëmijët e saj të shkonin disa ditë për pushime në Malin e Zi, por ata u nisën për në Stamboll fillimisht e më pas që andej shkuan për në Siri. Ndregjoni tha se familja besonte se Dumanin e kishin bindur për të kryer këto veprime dy anëtarë famëkeq të grupit, Almir Daci një ish imam dhe Lavdrim Muhaxheri, një shqiptar nga Kosova.
E dëshpëruar për fatin e djalit dhe nipërve të saj, nëna e Dumanit u bashkua me ta në Siri në mars të vitit 2014, me shpresën se do t’i bindte ata për t’u kthyer në Shqipëri.
“Ajo foli pak javë më vonë në Skype duke thënë se kampet e ISIS ishin një vend i mrekullueshëm dhe se ne duhet t’u bashkoheshim atyre. Ishte e qartë se ajo mbikëqyrej për çdo gjë që fliste. Ajo është ende atje” tha Ndregjoni.
Gjithashtu, ai tregon se nuk ka kaluar një ditë pa qarë për fatin e mbesës dhe nipit të tij.
“Ata kanë lëvizur në shumë vende brenda Sirisë gjatë këtyre viteve dhe në periudha të caktuara kemi pasur biseda të rregullta me anë të Skype” tha ai.

Imami, Almir Daci

Në vitin 2016 deri në vitin 2017, komunikimi u bë pothuajse i pamundur, megjithatë Ndregjoni tregon se nuk u dorëzua. Ai negocioi me terroristët dhe kontrabandistët nga e gjithë Lindja e Mesme për t’i kthyer nipin dhe mbesën, gjithashtu udhëtoi në Turqi me shpresën se do të gjente një rrugë për t'i takuar, por pa asnjë rezultat. Gjithashtu, shprehet se motra e tij gjatë këtyre vitesh është në gjendje depresioni të rëndë.

Por, ata nuk janë të vetmit që vuajë largimin e të afërmve të tyre. Shumë shqiptarë të Kosovës dhe Maqedonisë janë përpjekur, për të rikthyer familjarët e tyre në shtëpi.
"Unë kam shkuar në shtëpitë tyre, për t’i kërkuar që të bashkohemi për të arritur qëllimin tonë. Ne krijuam një lloj aleance për të ndihmuar njëri tjetrin,” shtoi Ndregjoni.
Ata kanë kaluar orë të tëra në internet duke u përpjekur për të kuptuar, gjithçka nga lajmet apo të dhënat e vazhdueshme që dilnin nga vendndodhja e xhihadistëve.
“Para disa ditësh pashë në ëndërr mbesën time, e cila mbante veshur një fustan të bukur. Ndoshta kjo është një shenjë e mirë,” shprehet Ndregjoni. /Balkan Insight/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë