Financa Personale

Shqiptarët i druhen pleqërisë, rriten asetet e pensioneve private vullnetare

Dy vite më parë do të bëhej viral lajmi se shqiptarët shpenzojnë shuma marramendëse për ngjarjen e dasmës.

Nga një përllogaritje do të rezultonte se organizimi i dasmës do ti kushtonte një çifti mesatarisht 900 mijë lekë.

Dhe shqiptarët do të renditeshin ndër vendet e para që kursenin shuma të konsiderueshme për dasmën.

Por nga ana tjetër, faktet në tregun e pensioneve private do të tregojnë për një indiferencë dhe mungesë droje të shqiptarëve për periudhën më delikate të jetës së tyre, atë të pensionit.

Sipas të dhënave, Shqipëria ka tregun më të pazhvilluar në rajon për pensionet private vullnetare, megjithëse është një nga pjesëmarrësit aktivë në tregun e kapitalit, duke investuar kryesisht në letrat me vlerë të qeverisë.

Por vitet e fundit, shqiptarët po ndërgjegjësohen që investimi vullnetar për periudhën e pensionit do të përkthehet në një pleqëri dinjitoze.

Të dhënat zyrtare të Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare për tregun e pensioneve vullnetare private tregojnë se kanë shënuar një rritje prej 32,51% krahasuar me 31 dhjetorin 2017-të.

Gjatë vitit 2018, në tregun e pensioneve private vullnetare ushtruan aktivitetin e tyre tre fonde pensioni. Analiza e të dhënave për tregun e pensioneve private vullnetare më 31.12.2018 tregon një total asetesh neto prej 2,289.10 milionë lekë (18.54 milionë euro) dhe me një rritje prej 561.56 milionë lekë (32.51%) krahasuar me 31.12.2017. Numri i anëtarëve në fondet e pensioneve, më 31.12.2018 ishte 25,298 anëtarë duke shënuar rritje prej 20.77% krahasuar me 31.12.2017.

Ajo që vihet re është se femrat janë më të shqetësuara për këtë periudhë të jetës duke kërkuar ta garantojnë atë financiarisht. Sipas të dhënave në 31 dhjetor 2018 kanë qenë të regjistruara 13, 422 femra në fondet e pensioneve vullnetare private, krahasuar me 11, 876 meshkuj.

Pensionet private vullnetare janë bërë pjesë e tregut financiar pas vitit 2009. Në ketë treg ushtrojnë aktivitetin tre kompani pensionesh, Raiffeisen Pensions, FPP Sigal Life Uniqa Group Austria dhe Credins Pensions.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë