Njerez

Shqipëria udhëton brenda një çante

Nga Sorgena Leka- “JH” është  një markë ndërkombëtare që në çdo produkt të saj ka Shqipërinë brenda. Duke filluar që nga ideja për të bërë çdo gjë në mënyrë artizanale, produktet me emra Shqiptarë dhe me një histori të ngjashme me të cilët janë përballur shumë emigrantë.

Në vitin 2014, Jola Hasimi 29 vjeç nga Vlora, së bashku me bashkëshortin e saj Nertil Boraj 33 vjeç themeluan markën JH Jola Hasimi në Firenze ku dhe jetojnë prej vitesh.

“Produkti i parë i markës tonë është parfumi “Shqipëria ime” ku versioni i parë është lancuar në vitin 2015 të cilin vendosëm ta ri sillnim pas pesë vitesh me një version të dytë, që është aktuali”, tregon Hasimi për Gazetasi.al.

Jola Hasimi dhe Nertil Boraj, gazeta "Si", 9 nentor, 2021

Versioni i dytë ndryshon në çdo gjë nga versioni i parë, siç tregon Hasimi, duke filluar nga forma, madhësia, lloji i punimit, aroma, dizajno... e vetmja gjë që i ka mbetur nga versioni i parë është emri.

Hasimi është dizejnuese dhe gjithmonë ishte e bindur se do të kishte një markë të vetën por këtë “vendim” e përshpejtoi një bisedë jo e këndshme me pedagogen e saj.

“Kam qenë në vitin e fundit të studimeve, nga një bisedë shumë e pakëndshme, pata idenë e krijimit të një arome, një parfumi”, diskutim racist ku ajo filloi t’i radhiste Hasimit çdo gjë që ne na mungonte si popull, çdo gjë që nuk bënim dot.

Hasimi tregon se nuk mendonte se produkti i parë do të ishte një parfum. Kishte provimin më të rëndësishëm dhe pedagogia e saj i tha: “pse je kaq e emocionuar, ti nuk do ia dalësh dot sepse ju nuk ia dilni. Më thuaj një parfum që unë e gjej diku këtu dhe që e di se është i krijuar nga një shqiptar?”

Parfumi "Shqipëria ime"

“Kjo ishte ajo shkëndija që më bëri që të vrapoj që t’ia them Nertilit idenë”.

Ajo tregon se puna e saj përfundon kur ajo e krijon, dizenjon dhe i kalon grafikun bashkëshortit i cili më pas merret me gjetjen e stafit, kush do e realizojë.

Në Firence nuk mungojnë parfumerët dhe një nga ato është edhe Sileno Cheloni, parfumeri i Chanel dhe Gucci.

Hasimi tregon se në fillim punuan me Cheloni-n që i ndihmoi në krijimin e parfumit të parë, i cili dhe do të ngrinte imazhin  markës.

U deshën dy vite për të krijuar esencën, për të bërë formulimin, pjekjen e esencës dhe për të gjetur kampionin e duhur.

 Një nga përbërësit e parfumit është druri dhe aroma e drurit zgjat, njësoj si parfumi “Shqipëria ime”.

Kështu u krijua parfumi që ka më shumë se 6 vite versioni i parë dhe një vit e gjysmë versioni i dytë dhe sot vazhdon të kërkohet nga të gjithë, “çuditshëm kërkesa është gjithmonë në rritje, më së shumti në Gjermani, Amerikë dhe Zvicër”.

Fokusi i markës janë aksesorët e punuar me lëkura ekzotike (lëkurë krokodili, struci, aligatori, në bazë të kërkesave të klientëve)që janë çanta, këpucë, rripa, portofola, mbajtëse kartash krediti, parfume dhe të gjithë aksesorët e tjerë, limited edition dhe “në produktet tona ka gjithmonë pak Shqipëri”, qoftë në emra, qoftë në inspirim.

Një produkt tjetër po aq i veçantë që Hasimi ka krijuar është çanta limited edition që quhet “Teuta”

Hasimi tregon se kur u lancua koleksioni i parë i çantave, ky model ishte më i bukuri, më i punuari, më i shtrenjti dhe meritonte një emër po aq të veçantë. Edhe pse Hasimi nuk mund të tregojë emrat e klientëve të saj, me rëndësi është se diku në botë, dikush mban një çantë “Teuta”.

Një detaj i veçantë është fakti se falë produkteve të Hasimit, të huajt kanë mësuar emrat e tyre shqip, “edhe pse me vështirësi por i kanë shqiptuar”.

Ndërkohë, plani më i afërt i kompanisë është shpërndarja gjeografike, dyqanet e para në pikat kyçe të modës, por jo në Shqipëri pasi sipas Hasimit “pjesët që ne punojmë kërkojnë një target klientësh të caktuar”.

A është e vështirë të shpërndash “Shqipëri” nëpër botë?

Patjetër që është e vështirë, sepse ne nuk kemi një model dhe duhet vetë të jemi modeli që hap rrugën për të tjerë kështu që përtej të gjitha vështirësive, ka një përgjegjësi shumë të madhe.

Një nga personat që mori në dorë parfumin “Shqipëria ime” ishte edhe pedagogia e Hasimit, shoqëruar me fjalën “Ja, tani e ke një parfum Shqiptar”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë