Kombetarja

Shqipëri amatore, u kënaq me pak

Përfundimisht, vendi i katërt në Grupin H. Minimumi që mund të arrihej në eliminatoret e Euro 2020. Vendi i tretë është ende në lojë teorikisht, por gati i pamundur prakitikisht, sepse Shqipëria duhet të mundë Francën të dielën dhe të barazojë me pikë Islandën, por kjo e fundit gjithashtu duhet ta humbë në Moldavi. Vendi i 4 është më e pakta për Kombëtaren, që para këtyre eliminatoreve ëndërronte kualifikimin, por nuk shkoi as te i treti, që do të ishte sukses. Mundësitë ishin të mëdha për këtë vend, por nuk u shfrytëzuan. Gabimet në dy ndeshjet me Turqinë dhe në këtë të fundit me Andorrën, peshojnë shumë. Gjithçka u nis keq me Panuçin, Reja arriti të vërë pak rregull, por edhe ai, me sa duket, ka ende shumë punë përpara.

Kombëtarja luajti një nga ndeshjet më të dobëta ndaj Andorrës, sidomos në mbrojtje. Më shumë vuajti “skemën” mentale se atë të lojës në fushë dhe për një ekip profesionist ky është problem i madh. Kuqezinjtë i dhanë mundësinë një kundërshtari tejet modest të hyjë në histori me 2 golat e shënuar në një ndeshje dhe pikën e marrë në transfertë. Nënvlerësimi, dashje pa dashje, ishte i pranishëm në skuadër. Shqipëria vuajti sërish “sëmundjen” e vjetër të ndeshjeve me kundërshtarë të lehtë në letër, duke zhgënjyer jo pak, pasi të gjithë mendonin se skuadra kishte fituar pjekuri me trajnerin Edi Reja.

Balaj dhe Ndoj gjatë ndeshjes me Andorrën. Gazeta Si, 15 nëntor 2019

Kapiteni Memushaj nuk e quajti nënvlerësim, por thjesht një ndeshje të keqe, trajneri Reja e konsideroi mendjelehtësi të ekipit barazimin ndaj Andorrës, ndërsa Hysaj ia la fatit të keq pergjegjësinë e dy pikëve të humbura, që do të vendosnin një rekord për kuqezinjtë sa u takon pikëve të grumbulluara në një fazë eliminatoresh. Të gjitha bashkë bënë që Shqipëria të gabonte fatalisht dhe në bilancin total të lërë pas vetëm Andorrën dhe Moldavinë në grup. Ngushëllimi i vetëm është se shenjat e revolucionit të nisur nga trajneri Reja në disa ndeshje kanë qenë shpresëdhënëse, edhe pse humori u prish pak nga Andorra.

Ajo që nuk falet në paraqitjen e ekipit në fushë së fundi lidhet me mbrojtjen, që ndaj Andorrës përbëhej nga tre titullarët Ismajli, Gjimshiti dhe Veseli. E kotë të thuash se mungoi Dermaku. Të gjithë mbrojtësit dukej se po shikonin ëndrra me Mbapenë dhe Zhirunë apo Grizmanin mbrëmjes e së enjtes. Indiferentizmi i tyre në rastet e dy golave të pësuar ishte i habitshëm. Janë të tre lojtarë shumë të mirë, por sjellja e tyre nuk ishte ajo e një profesionisti. Shpresohet që të jetë një moment i shkëputur, sepse nëse luajnë sërish ashtu, imagjinoni çfarë mund të na bëjë Franca. Së fundi, nga barazimi me Andorrën, trajneri Reja mund të ketë marrë përgjigje përfundimtare nga ndonjë lojtar, për të cilin nuk ka qenë i bindur.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë