Kombetarja

Shfryhet “tullumbacja” kuqezi, Shqipëria dështon ndaj Andorrës

Duke e pasur mendjen te Franca dhe te stadiumi i ri, kuqezinjtë kanë gabuar fatalisht ndaj Andorrës, duke çuar dëm shansin për të vendosur një rekord pikësh në ndeshjet eliminatore. “Tullumbacja” kuqezi u shfry shumë lehtë. Barazim 2-2 në “Elbasan Arena”, ku pritej një fitore e thellë e Shqipërisë. Në fakt, sulmi e bëri punën e vet, Balaj dhe Manaj shënuan, por mbrojtja këtë herë la shumë për të dëshiruar dhe Berisha u ndëshkua dy herë nga Martinez, i cili as në ëndërr nuk i kishte parë dy gola në një ndeshje ndërkombëtare.

Ndoshta kuqezinjtë vuajtën mendjemadhësinë e tyre në këtë ndeshje, para së cilës trajneri Reja kishte apeluar disa hëre për seriozitet dhe vlerësim maksimal, pasi kjo ishte ndeshja e Shqipërisë, sipas tij. Megjithatë, Kombëtarja tregoi besim të tepruar dhe e neglizhoi kundërshtarin. Edhe pse ndeshja nisi në mënyrën më të mirë, teksa Balaj realizoi pas 6 minutash, sërish skuadra jonë nuk diti ta menaxhonte lojën dhe pësoi dy gola. Manaj barazoi shpejt, por kuqezinjtë vuajtën për të shënuar golin e fitores.

Shqipëria e nisi ndeshjen me këtë formacion: në portë Berisha, në mbrojtje Gjimshiti, Ismajli dhe Veseli, në mesfushë Ndoj, Ramadani, Memushaj, Roshi dhe Trashi dhe në sulm Balaj e Manaj. Në pjesën e dytë Hysaj zëvendësoi Trashin, Bare u fut në vend të Ndojit dhe Seferi në vend të Ramadanit. Ka mbetur edhe një ndeshje, ajo me Francën, por me shumë mundësi kuqezinjtë do t’i mbyllin këto eliminatore në vend të 4-t, me 13 pikë. Kur flitet për rekorde dhe ndeshje që duhen fituar, duhet të jesh serioz në fushë.

Barazimi 2-2 me Andorrën sigurisht që do të ketë ndikim negative për ndeshjen e së dielës me Francën. Ndoshta do të ishte më mirë që trajneri Reja t’i konsumonte titullarët në këtë ndeshje, ku fitorja do të kishte më shumë vlera, se ndaj Francës kampione bote në fuqi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë