Presidenti Ilir Meta tha se më 8 Dhjetor do të shpalosë më në detaje idenë e tij për referendumin që kërkon, por në konferencën për media të thirrur pasditen e kësaj të hëne bëri me dije në vija të trasha idenë e tij.
Sipas asaj që tha Presidenti, koncepti është krijimi i mundësive që qytetarët të kërkojnë referendum për çështje që ata i gjykojnë të rëndësishme për ta, ashtu siç veprohet në Zvicër sot.
“Epoka e partive përfundoi. Ato nuk mund të prodhojnë më dialog politik të qëndrueshëm. Shqipëria duhet dhe do të hyjë në epokën e referendumit. Kjo klasë politike dështoi në mënyrën më absurde. Me dele-Parlament do të ecë Shqipëria përpara dhe do të bëjë reforma?! Është rrëzuar i gjithë sistemi llogaridhënës. Ne do ta ndalim këtë duke ja dhënë mundësinë popullit dhe do të ndajë çështjet që do të hidhen në referendum”, deklaroi ai.
Sipas Presidentit, referendumet i rikthejnë popullit një të drejtë të mohuar prej vitesh. Ai thotë se është koha që shqiptarët të vendosin përmes referendumeve për çdo gjë që ata parashikojnë të rëndësishme.
Meta nuk flet për një referendum, por për hapjen e një epoke ku shqiptarët të vendosin për çdo çështje që ata e mendojnë të rëndësishme.
“Fillon një dhjetor i dytë derisa populli shqiptar të rifitojë të drejtën dhe demokracinë e vet të drejtpërdrejtë dhe kjo është e qartë që do të përfundojë me fitimin e kësaj të drejte”, tha Meta.
A do të thotë kjo protesta dhe tubime të pandërprera?
“Kjo do të thotë që Presidenti do të dalë në të gjitha sheshet e Shqipërisë dhe do të komunikojë me popullin. Nga sot, Presidenti është palë me popullin dhe referendumin dhe do të bëjë gjithçka derisa populli të marrë në dorë fatin e vet përmes referendumit”, sqaroi Presidenti.
Meta thotë se epoka e partive ka përfunduar.
“Ka ardhur koha që partitë t’i nënshtrohen vullnetit të popullit shqiptar. Do të ndërmerren nisma për referendume. E drejta e popullit që sa herë të gjykojë siç e parashikon Kushtetuta ta ushtrojë këtë të drejtë”, tha ai.
Presidenti e mbylli fjalën duke ftuar qytetarët që t’i bashkohen më 8 Dhjetor në Sheshin Demokracia në Qytetin Studenti.
“Të gjithë janë të ftuar me flamuj kombëtarë, jo flamuj partikë. Nuk lejohen flamujtë partiakë”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.