Biznes

Shqipëria rinovon marrëveshjen: Import-eksportet me Britaninë me tarifa preferenciale

Qeveria e Shqipërisë ka rinënshkruar marrëveshjen tregtare me Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandën e Veriut. Dokumenti i publikuar thekson se mallrat që do të importohen dhe eksportohen do të kenë tarifa dhe kushte preferenciale të njëjta si në kohën kur Mbretëria e Bashkuar ishte pjesë e Bashkimit Europian.

Marrëveshja tregtare e Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar përfundoi periudhën e tranzicionit në fund të vitit 2020 kur u finalizua procesi i Brexit.  

Në dokumentin e marrëveshjes përcaktohet se rregullatorja e vendosur për tregtimin midis vendeve të BE-së dhe vendit tonë nuk do të zbatohen në marrëveshjen e sapo rikonfirmuar.

‘’Marrëveshja mbështetet në modifikimin e marrëveshjes ekzistuese të Stabilizim-Asociimit të Shqipërisë me Bashkimin Evropian dhe parashikon rregullimin e parashikimeve të dispozitave të marrëveshjes së MSA-së, pas shfuqizimit për Mbretërinë e Bashkuar pas Brexit dhe atyre pjesëve të marrëveshjes që janë të lidhura specifikikisht me Bashkimin Evropian, të cilat nuk do të zbatohen në marrëveshjen dypalëshe Shqipëri – Mbretëri e Bashkuar.’’

Sipas të dhënave të INSTAT-it, për periudhën 2007-2021, vlera e importeve është rritur me rreth 20% në vitin 2019, krahasuar me vitin 2007, ndërsa pesha e importeve është rritur me rreth 34%. Importe kryesore gjatë vitit 2019 janë makineri/pajisje, të cilat përbëjnë rreth 50% të totalit të importeve, vijuar nga produktet kimike e plastike me 20% dhe ushqime e pije me rreth 12%.

Vlera e eksporteve në vitin 2019 është rritur me 2,3 herë më shumë në krahasim me vitin 2007. Në vitin 2019, struktura e eksporteve ka qenë e dominuar nga eksportet e materialeve të ndërtimit dhe metaleve, të cilat kanë përbërë rreth 55% të vlerës së eksporteve, vijuar nga tekstile dhe këpucë me rreth 14% të totalit dhe më pas nga ushqime e pije me rreth 12%.

Britania e Bashkuar përbën rreth 1.4% të totalit të importeve tona nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe 0.4% të totalit të eksporteve në 28 vendet e Bashkimit Evropian.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë