Ekonomi

Shqipëria po plaket…

Tabloja e situatës demografike në vend paraqitet gri. Emigracioni, lindmëshira dhe vdekjet, rritja e moshës mesatare, rritja e numrit të të moshuarëve në vend e tkurrja e popullsisë janë tregues kërcënues për zhvillimin e vendit.

Broshura më e fundit e publikuar pak ditë më parë nga INSTAT për vitin 2018 tregon se popullsia e Shqipërisë në 1 Janar 2019, ka rezultuar 2,86 milionë banorë duke pësuar rënie prej 0,3 %, krahasuar me një vit më parë.

Gjatë vitit që lamë pas, kanë lindur rreth 29 mijë foshnje, ndërsa kanë vdekur rreth 22 mijë persona.

Numri i lindjeve vazhdon të tejkalojë numrin e vdekjeve, megjithatë diferenca midis tyre po ngushtohet me kalimin e viteve. Kjo diferencë në vitin 2018 është rreth 7 mijë banorë. Nga ana tjetër, migracioni neto vazhdon të mbetet negativ (diferenca midis imigrantëve dhe emigrantëve), duke rezultuar rreth 15 mijë persona për vitin 2018.

Të moshuarit në Shqipëri paraqesin nga viti në vit një tendencë në rritje.
Në 1 Janar 2019, grupmosha 60-79 vjeç zë gati 18% nga 17 % të popullsisë gjithsej në 1 Janar të vitit të kaluar. Tendencë në rritje shfaq edhe grupmosha mbi 80 vjeç.

Në të njëjtën kohë, shqetësuese mbetet tendenca në rënie e grupmoshës 0-14 vjeç.

Ulja e numrit të të rinjve dhe rritja e numrit të të moshuarve, pra plakja e popullsisë e cila vjen si pasojë e uljes së lindshmërisë dhe rritjes së jetëgjatësisë është një shqetësim i ngritur shpesh nga ekspertët, të cilët duke marrë parasysh edhe faktorin emigrim nuk arrijnë të bëjnë një prognozë optimiste për vendin në vitetet që do të vijnë.
Sipas të dhënave të INSTAT më 1 Janar 2019, qarku i Tiranës ka përqindjen më të madhe të popullsisë gjithsej, duke vazhduar të jetë një nga qarqet më të populluara të vendit, ndjekur nga Fieri, Durrësi dhe Elbasani.

Vetëm 3 qarqe pësuan rritje të popullsisë gjatë viteve 2018-2019, përkatësisht Tirana, Durrësi dhe Vlora. Të gjitha qarqet e tjera pësuan një tkurrje të numrit të popullsisë gjatë periudhës 2018-2019 dhe kjo vjen kryesisht si pasojë e lëvizjeve të brendshme, drejtuar në qendrat urbane, kryesisht në Tiranë si dhe në Durrës e Vlorë.
Në 1 Janar 2019, qarku i Gjirokastrës paraqet numrin më të ulët të popullsisë, i ndjekur nga qarku i Kukësit i cili zë 2,7 % të saj.

Në vitin 2018 jetëgjatësia për femrat është 80,5 vjet dhe për meshkujt 77,4 vjet.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë