Ngjarje

Shqipëria po boshatiset, OKB: Në 2100, popullsia sa gjysma e Tiranës sot

Shqipëria rrezikon që të katandiset në një vend që do të strehojë një grusht banorësh në fund të këtij shekulli. Organizata e Kombeve të Bashkuara ka publikuar parashikimet për ndryshimet demografike globale.

Në raportin e Divizionit të Popullsisë së OKB-së bëhet parashikimi duke analizuar raportin lindshmëri-vdekje dhe emigracionin dhe në bazë të këtyre të dhënave ndërtohen projeksionet për tre skënarë.

Asnjëri prej skenarëve nuk është pozitiv për Shqipërinë. Në variantin më të mirë, sipas OKB-së, Shqipëria në 2100 do të ketë rreth 1.8 milionë banorë. Në skenarin e mesëm, numri i banorëve që do të popullojnë Shqipërinë përllogaritet në rreth 1.1 milionë banorë dhe në skenarin më negativ në vetëm 514 mijë banorë, ose sa gjysma e banorëve të Tiranës sot.

Parashikimi është shumë herë më negativ sesa projeksioni i vitit 2017, i nxjerrë po nga Organizata e Kombeve të Bashkuara. Arsyet janë ulja e lindshmërisë përgjatë 2018 në krahasim me 2016, që janë edhe vitet nga ku janë marrë të dhënat për të ndërtuar parashikimet në të dy raportet në fjalë dhe emigracioni.

Tkurrje të popullsisë me ritme më të shpejta sesa parashikimi i 2011 e ka konfirmuar edhe vetë INSTAT përmes publikimeve të fundit. Pika kulmore identifikohet viti 2025, kur sipas parashikimeve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, numri i lindjeve do të barazohet, e me gjasë do të jetë më i vogël se numri i vdekjeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë