Politike

Shqipëria përgatitet për “modelin” Macron

Shqipëria duket se po përgatitet për të negociuar me Bashkimin Europian sipas modelit të propozuar nga presidenti francez Emmanuel Macron.

Sinjali është dhënë nga Ministri në Detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj, gjatë qëndrimit të tij në Bruksel, ku zhvilloi një takim me Ministrin e Jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias.

Në një njoftim për shtyp, Ministria e Jashtme thotë se Cakaj dhe Dendias kanë biseduar për objektivat e reja, pas miratimit të metodologjisë së re së zgjerimit.

Cakaj dhe Niko Dendias, Gazeta Si, 2019

“Ky takim kishte në fokus diskutime mbi ndryshimet pozitive që kanë ndodhur në Shqipëri, me theks të veçantë në përmbushjen e objektivave të përcaktuara nga Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme në qershor 2018 për të mundësuar çeljen e bisedimeve për anëtarësim në BE pas miratimit të metodologjisë së re të negocimit”, thotë MEPJ.

Në një reagim në Facebook Cakaj shprehu mirënjohjen e veçantë për mbështetjen e pakursyer të Greqisë për Shqipërinë që prej orëve të para të pas tërmetit e deri tani që po vazhdon me përkushtim të fortë dhe rezultate konkrete.

Pas dritës së kuqe për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë dhe kritikat që erdhën nga Brukseli dhe Berlini, Parisi paraqiti një propozim për publikun europian për të reformuar procesin e negociatave. Macron propozon që kapitujt të zëvendësohen me shtatë faza, duke u përfshirë gradualisht në institucionet e BE-së dhe marrjen e fondeve, por edhe vendosjen e kushteve më të rrepta. Por ndërkohë që disa ekspertë e shohin këtë propozim si përpjekje e Francës për të frenuar zemërimin e Berlinit për bllokimin e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë, disa ekspertë besojnë se ky model është thjesht për të ngadalësuar negociatat me Ballkanin Perëndimor dhe për ta bërë më të vështirë integrimin “de facto”.

Sipas propozimit të Parisit, negociatat nuk do të ndaheshin më në 35 kapituj të bisedimeve, por në faza, bazuar në fusha specifike. Pas zbatimit të suksesshëm të reformave në një fazë të caktuar, vendi kandidat do të bëhej anëtar i BE-së në atë fushë dhe do të kishte në dispozicion fondet e përdorura nga të gjitha shtetet e tjera anëtare. Pa një mbyllje të suksesshme të kësaj faze, nuk është e mundur të përparosh në fusha të tjera. Gjithashtu, nëse shteti nuk i përmbush angazhimet e tij në ndonjë fazë, ai do të duhet të nisë edhe njëherë nga fillimi implementim e saj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë