Sport

Shqipëria përfaqësohet me 11 sportistë në Lojërat Europiane në Poloni

Gazeta Si – Më 21 qershor deri më 2 korrik zhvillohet në Poloni edicioni i 3-të i Lojërave Europiane, ku mes 48 shteteve pjesëmarrëse do të jetë edhe Shqipëria. Në këtë event garohet në 29 sporte të ndryshme dhe vendi ynë do të përfaqësohet me 11 sportistë.

Nga Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH) është shpallur tashmë edhe lista e përfaqësues kuqezi në Lojërat Europiane. Në listë janë 4 boksierë dhe konkretisht Alban Beqiri, Redis Karaj, Ardit Murja dhe Gelian Rojku.

Alvin Karaqi konkurron në karate, Marko Montanaro dhe Fjoralb Curri në padel, Manjola Konini në qitje, Jurido Cani në taekuondo dhe Fransua Shabani në teqboll. Në skermë do të jetë Masimo Mari ai që do të garojë me ngjyrat e flamurit shqiptar.

Lojërat Europiane janë zhvilluar herën e fundit në 2019-ën, në Minsk të Bjellorusisë, kurse në 2015-ën u mbajtën në Azerbajxhan. Duhet theksuar se sportet olimpike kanë mundësinë e kualifikimit në këtë aktivitet për në Olimpiadën e Parisit, që mbahet në 2024-ën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë