Politike

Shqipëria në BE, ambasadori slloven: I keni përmbushur kushtet

Zgjerimi i Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Shqipërinë është në krye të agjendës së presidencës sllovene të Këshillit të Bashkimit Evropian. Kështu shprehet ambasadori i Sllovenisë në Shqipëri, z. Peter Japejl, ndërkohë që rrëfen më tepër në lidhje me samitin që do të mbahet gjatë tetorit në Slloveni, të cilin e konsideron si platformë, ku mund të adresohen të gjithë çështjet që lidhen me Ballkanin Perëndimor dhe Shqipërinë.

“Sllovenia ka marrë presidencën e Këshillit të BE në 1 korrik dhe ne vazhdojmë të punojmë me partnerët tanë: Gjermania dhe Portugalia me të cilët kemi krijuar një presidencë treshe. Ballkani Perëndimor dhe Shqipëria janë një nga prioritetet madhore në kuadër të politikës së jashtme të përbashkët. Presidenca sllovene e BE bazohet në katër shtylla dhe shtylla e katërt është ajo e zgjerimit të BE me Ballkanin Perëndimor. Ballkani Perëndimor është në krye të agjendës dhe gjithashtu edhe Shqipëria. Ne mbështesim Shqipërinë, mbështesim Ballkanin Perëndimor në përgjithësi, sepse është fqinji ynë i afërt dhe e konsiderojmë një detyrë shumë të rëndësishme, një çështje strategjike për Slloveninë dhe BE në përgjithësi”, - tha Japelj.

Ndërsa flet për samitin e 6 tetorit, ku “do të adresohen gjithë vështirësitë lidhur me Ballkanin Perëndimor”, ai vëren se “dialogu dhe bisedimi është gjithmonë mënyra më e mirë për të ecur përpara.” 

“Përsa i përket Shqipërisë konkretisht janë shumë iniciativa për të cilat Sllovenia dëshiron të punojë së bashku me Ballkanin Perëndimor, janë disa takime informale të Ministrive, ku partnerët e Ballkanit Perëndimor do të jenë të ftuar, por ka shumë më tepër, jo vetëm në lidhje me politikën e jashtme të përbashkët, por edhe me fusha të tjera çelës të BE dhe ku Ballkani Perëndimor gjithashtu do të jetë i përfshirë.”

Shqipëria nën sulme kibernetike?

Sipas Japelj një nga objektivat kryesorë gjatë presidencës sllovene është rimëkëmbja e vendeve për shkak të pandemisë, si dhe siguria në lidhje me krimet kibernetike.

“Po përgatisim programin tonë gjatë pandemisë, ku kemi parasysh edhe Ballkanin Perëndimor. Por nuk është vetëm pandemia. por edhe siguria lidhur me sulmet kibernetike. Pashë një artikull, që ministritë, administrata publike në Shqipëri është përditë nën sulme kibernetike. Ky është vërtet një kërcënim me të cilin përballemi përditë dhe ajo çfarë Sllovenia dëshiron të bëjë përmes bashkëpunimit, jo vetëm në BE, por edhe me fqinjët tanë të afërt dhe Ballkanin Perëndimor është që të përmirësojë kapacitetet për t'iu përgjigjur sulmeve të tilla.”

E ardhmja në Evropë

Sipas Japelj, tepër e rëndësishme gjithashtu është edhe Konferenca për të Ardhmen e Evropës, e cila, sipas Sllovenisë duhet të përfshijë veçanërisht Ballkanin Perëndimor, sepse ka të bëjë me të ardhmen e rinisë në këto vende.

“Përsa i përket rinisë dhe punësimit të të rinjve ne planifikojmë të përfshijmë Ballkanin Perëndimor edhe në punën e çështjeve sociale dhe kjo është vetëm një pjesë e gjithë programit e punës sonë të ardhshme përgjatë gjashtë muajve.”

Përsa i përket përmbushjes së kushteve të vendosura për të qenë pjesë e BE, Japelj pohon se “këto kushte nga Shqipëria janë përmbushur.”

“Ky është opinioni i Sllovenisë, ky është opinioni i Komisionit Europian, ky është opinioni i BE dhe kjo do të thotë që kushtet për të filluar negociatat janë përmbushur.”

Ambasadori slloven megjithatë vëren se Shqipërinë e pret një punë shumë e madhe përpara për zbatimin e standardeve të BE.

“Do të jetë vërtet një punë e madhe dhe këtë ua them nga përvoja ime sepse unë jam marrë me këtë gjë në Slloveni dhe isha një diplomat i ri kur filluam negociatat dhe ju duhet të filloni të zbatoni dhe të filloni të jetoni sipas këtyre rregullave, vlerave. I gjithë vendi duhet të ndryshojë mendësinë, por pa humbur identitetin tuaj dhe të shtoni atë çfarë është shqiptare në familjen e madhe evropiane.”

Reforma legjislative

Japelj jep opinionin e tij edhe përsa i përket reformës së bërë në legjislaturë, në funksionimin e Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese, ndërsa e cilëson pozitive luftën e bërë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Nuk është një detyrë e lehtë, merr pak kohë. Shqipëria siç e ndjek në media dhe flas me kolegët e mi është mirë në këtë drejtim. siç dëgjoj këtu diçka e tillë bëhet avash-avash, hap pas hapi dhe duhet ta dini që çdo hap është i rëndësishëm. Çdo hap jep një shenjë, çdo hap është diçka e përbashkët për qytetarët e Shqipërisë dhe një shenjë që gjërat po ndryshojnë dhe që përballë ligjit të gjithë jemi të barabartë. Ky është rregulli i ligjit, kjo është një nga vlerat e rëndësishme në Bashkimin Evropian. Shqipëria po bën punë të mirë”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë