Lajme

Shqipëria ndalon luftëtarin e UÇK-së!

Shqipëria ka ndaluar sot për dy orë nj ish-luftëtar të Ushtrisë Ç lirimtare të Kosovës, pas një urdhri të ngritur nga Serbia nëpërmjet Interpolit, duke shkaktuar një sërë reagimesh në Prishtinë.

Lajmi fillimisht u bë i ditur nga kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, i cili shkroi në “Facebook” se burime i kanë konfirmuar se Serbia këto ditë ka bërë një listë të re të ish-luftëtarëve të UÇK-së, ku dhe kërkon arrestimin e tyre.

“Veterani i UÇK-së Murtez Kastrati nga Lipjani sot është ndaluar nga policia e Shqipërisë pasi që shteti Serb ka dërguar emrin e tij dhe shume ish pjesëtarëve të UÇK-së në Interpol, nga burimet që kemi marrë Serbia këto ditë ka bërë një listë të re me emra të ish pjesëtarëve të UÇK-së, ju bëjmë apel bashkëluftëtareve që këto ditë mos të lëvizin dhe të mos dalin në shtetet tjera.”, shkruan ai.

Kreu i Veteranëve, Hysni Gucati shton se Kosova duhet të marrë masa të menjëhershme për të ndaluar raste të tilla, të cilat vënë nën trysni të padrejtë emrat e ish-luftëtarëve që dhanë gjithçka për liri dhe pavarësi.

“Shteti i Shqipërisë duhet sa me parë ta lirojë Murtez Kastratin dhe të mos i marrë parasysh asnjëherë veprimet dhe listat e dërguar në Interpol nga Serbia, deri sa do të vazhdojnë kështu duke u maltretuar në këtë formë njerëzit që dhanë çdo gjë që ne sot ta kemi shtetin, veteranët ende nuk janë në gjendje të lëvizin të lirë, Qeveria e Kosovës sa me parë duhet të marrë masa në këtë drejtim dhe të mos kemi më raste të tilla!”,  shton ai.

 Reagime të ashpra erdhën edhe nga Ministrja e Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, e cila thotë se ka telefonuar ministrin në detyrë në Shqipëri, z. Gent Cakaj, i cili i ka konfirmuar se veterani i UÇK-së është verifikuar nga Policia, por më pas është lënë i lirë.

“Me të lexuar njoftimin nga z. Hysni Gucati, rreth ndalimit të ish luftëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, z.Murtez Kastratit, kam kontaktuar menjëherë homologun shqiptar z.Gent Cakaj, i cili ka vepruar shpejtë dhe ka sqaruar që z. Kastrati është ndaluar për verifikim dhe liruar para 2 orësh”, shkruan Haradinaj-Stublla.

Ajo thotë se është e papranueshme se si Serbia shtiret ndërkombëtarisht për ‘konstruktivitet’ ndaj Kosovës, por nga ana tjetër vazhdon veprimet ilegale kundër Kosovës.

Ministrja e Kosovës shprehet se, kërkesat e Serbisë përmes Interpol-it duhet të azhornohen nga autoritetet e Shqipërisë, dhe të reflektojnë realitetin politik e ligjor të Kosovës. Sipas saj, qeveria e Kosovës së bashku me organizatat e dala nga lufta duhet t’i vënë menjëherë në dispozicion Shqipërisë listën e plotë të veteranëve, në mënyrë që të frenohet turpërimi i shqiptarëve dhe njollosja e UÇK-së.

“Do të angazhohemi bashkë me organizatat e dala nga lufta që menjëherë Qeveria, respektivisht MPJD dhe MPB e Republikës së Kosovës, t’u vë në dispozicion autoriteteve të Shqipërisë, listat e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në bashkëpunim të ngushtë me homologun Cakaj, do të veprojmë konform kompetencave tona ligjore e kombëtare, që të mos lejojmë turpërimin e maltretimin e shqiptarëve para kërkesave të tilla jolegjitime dhe joligjore të Serbisë. Përkrahja e vlerave të UÇK-së dhe pastërtisë së saj, nuk është vetëm çështje deklaratash”, thekson ajo.

Shteti i Kosovës nuk është ende pjesë e Organizatës Ndërkombëtare të Policisë (Interpol). Përpjekjet e saj për anëtarësim në Interpol kanë nisur dy vite pas shpalljes së pavarësisë, konkretisht në vitin 2010.

Komiteti Ekzekutiv i kësaj organizate nuk e mori seriozisht kërkesën e autoriteteve kosovare, të cilat vijuan pa reshtur në vitet e mëpasshme që Kosova të bëhet pjesë e kësaj organizate, por sot e kësaj dite ajo vijon të mbetet jashtë saj.

 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë