Financa Personale

Shqipëria mbetet vendi me pagën dhe fuqinë blerëse më të ulët në Europë

Nga Gazeta ‘SI’ -  Shqipëria vazhdon të jetë vendi me pagën më të ulët minimale në Europë (pa Kosovën) edhe për vitin 2023, të paktën deri në korrik.

Të dhënat e përditësuara nga Eurostat, tregojnë se paga minimale në korrik 2023 në Shqipëri është 375 euro, ndjekur nga Serbia 460 euro.

Matjet sipas fuqisë blerëse, PPS, pra të ardhurat në raport me çmimet, pagën minimale në vendin tonë e zhvlerësojnë më tej. Vlerësuar me 549 PPS, me pagën minimale në Shqipëri mund të blesh shumë më pak se sa në vendet e rajonit dhe Europës.

Nga vendet e BE-së, Bullgaria rezulton me pagën më të ulët, 399 euro/muaj dhe Luksemburgu më të lartën, 2.508 euro/muaj.

Një raport i mëhershëm i Eurostat, e rendiste Shqipërinë si vendin me të ardhurat më të ulëta për frymë në raport me PBB-në për vitin 2022, me 34%. Mesatarja e Europës në këtë tregues është 100%.

Ndonëse renditet e fundit, për të ardhurat në raport me atë çfarë prodhon ekonomia në një vit dhe për çfarë mund të paguajë, shqiptarët shpenzojnë pjesën më të madhe të tyre për ushqime, njësoj si europianët.

Sipas Eurostat, shpenzimet nominale për frymë për ushqime në 2022 ishin 2 mijë euro, nga 1.700 euro në 2021, duke mos pasur ndonjë diferencë të lartë me mesataren e Bashkimit Europian prej rreth 2.300 eurosh.

Për bukën dhe drithërat, familjet shqiptare kanë shpenzimeve rekord në 4.3% të PBB-së, nga 1.2% që është mesatarja europiane. Edhe për mishin shkojnë 6% e të ardhurave që ekonomia qarkullon në një vit, ndërsa për familjet europiane mjafton vetëm 1.5%.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë