Analize

Shqipëria ka nevojë për Tiranën: Të hapet plotësisht

Vetëm 4 (katër) të infektuar të tjerë në Tiranë nga COVID-19, këtë të premte, nuk bindin më askënd sa të jap pëlqimin për të zgjatur izolimin në kryeqytet. Sot zyrtarisht u njoftuan 18 të prekur në të gjithë vendin. Por edhe sikur të gjithë këta të infektuar të jetonin në kryeqytet, sërisht shifra nuk bind aq sa t’i japësh të drejtë paralajmërimeve të Kryeministrit për një rikthim  mbrapa nën një karantinë dragoniane, si në ditët e para të pandemisë. As shifrat e sotme dhe as të dhënat historike që nga dita kur në Shqipëri u shfaq pacienti Zero.

Të dhënat po tregojnë se me këtë regjim karantine sistemi spitalor po qëndron larg kolapsit, për të cilin kishte aq shumë frikë qeveria duke i shkarkuar asaj një barrë më të rëndë sprove  që mund të ishte me pasoja për të gjithë. Sot numri 18, edhe pse  është gati katër herë më i lartë se dy ditët e fundit, nuk duhet të na shqetësojë më. Së pari, se numri më i lartë i të infektuarave që prej datës 8 mars në të gjithë vendin nuk ka arritur më shumë se 34 (ka ndodhur në ditën e 49-të kur u shfaq pacienti zero) duke qenë dy herë më i ulët dhe  së dyti, numri më i shpeshtë i infektimeve në një ditë në të gjithë vendin që përsëritet është 4( katra). Pra, më shumë herë gjatë gjithë këtyre ditëve kemi patur katër të infektuar në ditë dhe jo më tepër.

Edhe ritmi i rritjes ( negative ose pozitive) sipas llogaritjeve të Gazetës ‘Si” bazuar në të dhënat zyrtare ka treguar qartë gjithnjë një trend rënës të të infektuarve dhe gjithnjë poshtë kurbës së Italisë, të cilën e Gazeta “Si” e morri për krahasim për shkak të pikave të përbashkëta si model karantine dhe popullate. Vetëm një herë ndodhi që ritmi i rritjes kapërceu atë të fqinjëve perendimor, por dhe u rikuperua shpejt dhe vendi eci më pas drejt lehtësimeve të reja të kushteve të izolimit.

Posaçërisht kryeyteti ka numrin më të madh të të infekturave, por në vlerë absolute kjo  është e pritshme, sepse në Tiranë jeton 30 për qind e e shqiptarëve dhe dendësia është është e lartë.

Megjithatë treguesit po thonë se përhapja e infeksionit sipas rasteve të reja në një ditë ndjek mesataren në rang vendi (zonat e prekura) dhe në mos është më poshtë.  Numri maksimal në një ditë nuk ka kaluar 20 të infektuar dhe se numri më i shpeshtë i përsëritur është 4 të infektuar në një ditë.

Megjithatë liderët në të gjithë botën mbajnë nën mëngë një tregues tjetër më përfshirës  për të kuptuar me saktësi se sa fuqi përhapje ka COVID-19 në secilin vend. Është si një sinjal i kuq, quhet treguesi R0, i famshëm. Një R0 më e vogël se 1 tregon se numri i rasteve po tkurret duke i lejuar kështu shoqërive të hapen përsëri. Një R0 mbi 1 tregon se numri i rasteve po rritet, e mbase është e nevojshme që të rivihen karantinimet apo masat e tjera kufizuese.

Zyrarisht në Shqipëri asnjë nga institucionet nuk e ka thënë se sa është R0. Ai është kalkuluar edhe për vendin tonë, por për arsye të pashpjegueshme qyetarët nuk e dinë. Megjithatë  Gazeta ‘Si “ mësoi se ai është momentalisht vetëm 0.65, poshtë nivelit  1 dhe poshtë treguesit botëror që momentalisht është në nivelin e 1.1.

Edhe Tirana, siç  e tregojnë shifrat, ndodhet brenda kësaj logjikës së argumentuar se përhapja e virusi është e kufizuar pavarësisht luhatjeve. Tabloja e virusit në kryeqytet nuk është më e keqe që  kur u letësuan lëvizjet dhe u hapën shumica e biznesve.

Të gjitha të dhënat së bashku na çojnë pa sforco drejt një përfundimi që nuk duhet të na çudis dhe as të na tregoj të marrë: sot jemi si në një ditë të zakonshme  madje as në ato ditët kur  gripi sezonal prek disafish më shumë qytetarë. S’jemi as në situatë e janar-shkurti kur virozat e periudhës patën një kulm disa herë më të lartë se të prekurit nga COVID-19. Koha provoi se shumica e të prekurve nuk ishin në gjendje të rëndë për shëndetin. Përfshirë edhe të prekurit edhe asimptomatikët u kuruan gjatë vetë-izolimit në shtëpi dhe se sistemi shendetësor nuk pati nevojën të stresohej aq shumë. Situata që ai kaloi ndonëse  kishte më shumë masa preventive dhe stres social e politik, për nga fluksi i të sëmurëve nuk iu desh të asistonte më shumë sesa në kohë virozash. Ndonëse një pjesë madhe e Shqipërisë është ngjyrosur me jeshile, kryqyteti mbetet i kuq pavarësisht se të dhënat tregojnë të kundërt: nevojën për ta çliruar plotësisht nga izolimi. Edhe nëse mund të ketë më shumë të prekur do të ishte një mundësi që qytetarët të fitonin  imunitetin  pa rrezikuar shëndetin dramatikisht për sa kohë edhe numrat po e ndihmojnë edhe sistemin shëndetësor të operoj pa sforco tragjike. Nuk duhet t’i trembemi teorisë së “imunitetit të masës”

Por ndërsa plaga shëndetësore e  krijuar nga pandemia duket e trajtuar dhe në kontroll drejt shërimit, ajo eknomike është ende e madhe dhe me ç’duket do të ketë shumë dhimbje dhe do të marrë shumë kohë. Shqipëria llogaritet të pësojë një rënie të përgjithshme të prodhimit kombëtar  me 10 përqind. Ky skenar shumë i mundshëm kërkon të gjejë çdo lloj mundësie, e cila të mund të komunikoj dhe trasmetohet sa në njërën zonë në tjetrën, sa në njërin sektor në tjetrin. Është nevoja që të paktën shumica e qyteteve të pastra nga virusi të mund të ringrihen të parët. Por ata nuk mund ta bëjnë dot vetëm. Ata sot kanë nevojë për Tiranën, ekonomia ka nevojë për kryeqytetin që është është zemra e saj.

Kryeqyteti  në strukturën e Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar zë 42 përqind dhe kontributi në vlerën e shtuar bruto po kaq ( rreth 40 %), dhe çdo qytet tjetër pas saj është shumë larg kësaj shifre. Gjithë pjesa tjetër e Shqipërisë  pret dhe duhet  të përfitojë nga kjo e mirë e Tiranës, të cilën e ka me shumicë kundrejt pjesës tjetër, por që  momentalisht nuk mundet ta ofroj, sepse është e izoluar.

Sot një familje nga kryeqyteti konsumon mesatarisht mbi 70 mijë lëk në muaj ose  disa mijëra lekë më shumë se sa mesatarje e familjeve në qytete të tjera.  Sot PBB për frymë për çdo banorë të Tiranës është rreth 38 për qind mbi mesataren e  vendit. Aq e lartë është sa në qarkun e Fieri , i dyti në renditje, ky tregues është vetëm 3 për qind mbi mesataren. Hotelet, restorantet, muzetë, shitësit e vegjël, në pjesën tjetër te vendit kanë nevojë për paratë dhe blerësit nga kryeqytetit, sepse vetëm me konsumin e tyre të brendshëm nuk ja dalin dot. Por konsumi i Tiranës nuk i shërben dot ekonomisë tjetër të vendit se banorët e kryqyteti janë të ndalur të lëvizin përtej vijës së verdhë e përtej një orari të caktuar. E ndoshta edhe mund të kufizohen më shumë, siç dha paralajmërimin qeveria.

Sot 50 përqind e familjeve migratore brenda vendit  janë vendosur në Tiranë. Dhe pas më shumë se dy muaj izolim dhe pjesa tjetër e trung familjar, pronat, banesat kanë nevojë për kujdesin dhe paratë e tyre. Kufizimi i këtij kontigjenti streson jo vetëm familjet, por edhe lëvizjen në ekonomi.

Në betejën për rimëkëmbjen ekonomike të mbash larg luftëtarin më të mirë është gati e sigurt humbja. Shqipëria pa Tiranën është si në një vdekje klinike ku as zemra dhe asnjë organ tjetër nuk funksionon veç proceseve metafizike të qënies njerëzore. Sa kemi trurin le të ringjallim Tiranën, zemrën e Shqipërisë,  e të lëme të lirë, të dal plotëissht nga karatina se një tjetër betejë të madhe kemi përpara.

Ky material nuk lejohet të kopjohet, apo riprodhohet pa miratimin e Gazetës “Si”. Ai është pronë intelektuale e gazetasi.al dhe si i tillë mbrohet nga ligji.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë