Analize

Ç’është R0? Variabla me shumë rëndësi në vlerësimin e Covid-19

Max Fisher* - Liderët botërorë dhe ekspertët e shëndetit publik janë të gatshëm t’i shpenzojnë muajt apo vitet e ardhshëm të fiksuar pas një variable të quajtur R0.

Kjo variabël përfaqëson numrin e infeksioneve të reja që përllogaritet të dalin nga një rast i vetëm infeksioni.

Me fjalë të tjera, nëse R0 është 2.5 atëherë një person me sëmundjen pritet që të infektojë mesatarisht 2.5 të tjerë.

Një R0 më e vogël se 1 sygjeron se numri i rasteve po tkurret duke u lejuar kështu shoqërive të hapen përsëri. Një R0 mbi 1 tregon se numri i rasteve po rritet, e mbase është e nevojshme që të rivendosen karantinimet apo masat e tjera kufizuese.

Por R0 është më e komplikuar seç mund të duket. Ajo është e ndërtuar përmes një shkence të fortë, investigimi mjeko-ligjor, modeleve matematikorë kompleksë dhe shpesh edhe falë një pune të mirë përllogaritjeje e supozimi. Ajo varion radikalisht nga një vend në një vend tjetër ditë pas dite, si dhe mund të shtyhet lart si vlerë apo të ulet për poshtë në varësi të kushteve lokale e sjelljes njerëzore.

Kështu, R0 pritet që t’i japë japë formë botës sonë gjatë muajve apo mbase e viteve të ardhshëm teksa qeveritë dhe ekspertët e shëndetit e trajtojnë atë si gjënë më të afërt të një busulle për të naviguar mes kësaj pandemie.

Çfarë është R0 ?

Qyteti Quezon, Filipine. R0 përfaqëson numrin e infeksioneve të reja që vlerësohet se rrjedhin nga një rast i vetëm. Foto: Jes Aznar për New York Times

Termi është marrë hua nga studimi i demografive, në të cilat përdoret për të përshkruar normat e lindjeve.

R-ja i referohët riprodhimit dhe 0 gjeneratës zero si në togfjalëshin pacienti zero. Së bashku ato zakonisht quhen numri bazik i riprodhimit (në terminologjinë angleze është basic reproduction number).

Ajo llogaritet përmes tipareve natyrore të një sëmundjeje, si psh sa lehtë ajo kapërcen nga një person në tjetrin, së bashku me elementët e sjelljes njerëzore që ndikojnë se sa shpesh njerëzit e sëmurë e të pa infektuar rrezikohen të bien në kontakt me të.

Numri rezultativ shërben për të ndihmuar në modelimin e një trajektoreje shpërthimi potencial.

Lë të themi se 1,000 individë kanë gripin sezonal i cili ka një R0 të përllogaritur tek 1.3.

Atëherë do të priteshe që ata të infektonin 1,300 njerëz të tjerë. Gjenerata e dytë, pra këta 1300 të infektuarit, pritet që më pas të infektojnë 1,690 të tjerë.

E kështu kjo vazhdon duke u shtuar me njëra tjetrën. Në gjeneratën e dhjetë pas 30 ditësh 46,621 njerëz mund të jenë infektuar me gripin sezonal.

Por çdo R0 është veçse një përllogaritje dhe epidemiologët e theksojnë se nuk është një vlerë perfekte.

Një studim i publikuar vitin e kaluar në revistën shkencore “Emerging Infectious Diseases” përshkruhet kjo vlerë e metodika e saj e matjes si e rëndësishme por paralajmërohet se “lehtësisht mund të keq-interpretohet dhe të keq-aplikohet”.

Nuk ka një koncesus për mënyrën e matjes së saj. Pjesa dërrmuese e matematikës së përdorur në kalkulimin e saj mbështetet në përllogaritjet statistikore dhe në faktorët njerëzorë që mund të ndryshojnë në mënyrë të paparashikuar.

Për këtë arsye, shumicës së sëmundjeve i’u jepet një gamë vlerash se sa një vlerë e vetme. Psh SARS zakonisht thuhet e mendohet që të ketë një R0 midis 2-shit dhe 5-s (këtu sigurisht që ka një diferencë të madhe midis këtyre vlerave)

Sot shkencëtarët vazhdojnë të diskutojnë dhe rishikojnë përllogaritjet e sëmundjeve që kanë studiuar për vite. Shifrat e R0-s për fruthin kanë variur nga 3.7 në 203.

Por, përsëri me të metat e saj, është e vlefshme si për ekspertët që studiojnë sëmundjet ashtu dhe liderët e shteteve që përpiqen ta menaxhojnë atë.

Çfarë kuptimi ka R0 tek koronavirusi

Gjatë shpërthimit fillestar të Kinës, një studim vlerësoi se koronavirusi kishte një R0 mahnitëse të lartë prej 5.7. Foto: Gilles Sabrié për New York Times

Në praktikë nuk një gjë të atillë si R0 fikse. Është më mirë që ky numër të mendohet si një pikënisjeje për sjelljen e virusit në mungesë të botës njerëzore dhe faktorëve ambiental.

Shifra e përllogaritje të reja mbi R0 vijnë gjatë gjithë kohës. Por në përgjithësi, studimet kanë përllogaritur se patogjeni që shkakton Covid-19 ka një R0 prej 2 - 2.5.

Kjo është në mënyrë sinjifikative më e madhe se gripi dhe në vlerat e ulëta të diapazonit të vlerave të SARS-it (koronavirusit tjetër).

Për të ditur se sa shpejtë virusi përhapet ty të nevojitet e intervali i saj serial, ose ndryshe koha mesatare midis çdo infeketimi të ri apo pasues. Disa studime përllogarisin se koronavirusi e ka këtë interval serial tek 4 dhe 4.5 ditëshi. Kjo është thuajse dy herë më shpejt se SARS-i, e për këtë arsye koronavirusi përhapet kaq më shpejtë.

Intervali serial konsiderohet më së shumti si diçka fikse. Ndërkohë njerëzit mund ta influencojnë shumë R0 e kjo është arsyeja pse merr kaq shumë vëmëndje krahasuar me vlerësimet e tjera.

Ky term gjithashtu mund të përdoret për të përshkruar një çast të caktuar në kohë, një përllogaritje të sesi virusi riprodhohet në ambient real në një periudhë të caktuar.

Psh. gjatë shpërthimit fillestar të covid-19 në Kinë një studim e ka përllogaritur virusin që të përhapeshe me një R0 prej 5.7 (kjo është një shifër katastrofikisht e lartë)

Pse ka kaq shumë rëndësi R0?

Berlin në prill. R0 është vetëm një vlerësim, pjesërisht sepse ndikohet nga ndërveprimi njerëzor. Foto: Emile Ducke për New York Times


Qeveritë, me kalimin e kohës, sa vijnë e akomë më shumë e përdorin R0 si një vlerë për të parë nëse rastet me koronavirus brenda vendit të tyre po rriten më shpejtë seç ato mund t’i menaxhojnë, apo të përpiqen për t’i ulur me sa të jetë e mundur.

Interesimi në R0 është rritur kaq shumë sa një video e Anxhela Merkel, kancelares së Gjermanisë, duke shpjeguar variablën është parë rreth 9 milionë herë.

“Ne tashmë jemi tek një numër bazik riprodhimi 1, kështu një person infekton një tjetër”, shprehet zonja Merkel në një konferencë me shtypin gjatë mesit të marsit. “Nëse ne vemi në pikën në të cilën secili infekton 1.1 njerëz të tjerë, atëherë gjer në tetor ne do të kemi arritur kapacitetin e plotë të sistemit tonë shëndetësor”, shton ajo.

Kur një vend ka më shumë pacientë se shtretër për kujdes shëndetësor intensiv (në anglisht intensive care beds) normat e vdekjeve mund të rriten në mënyrë drastike.

Në një R0 prej 1.2, zonja Merkel vazhdoi së thëni se Gjermania do ta kalonte pragun e numrit total të shtretërve për kujdes intensiv shëndetësor në korrik. Në një R0 prej 1.3 ky prag, pra kapaciteti i sistemit shëndetësor, do të kalohej në qershor.

“Pra mund ta shihni se sa diferencë përbën e një ndryshim i vogël”, shprehet ajo.

Por vlerat R0 të Gjermanisë në kohë reale janë spekulative sado të sofistikuara qofshin ato si përllogaritje. Kemi të bëjmë me një përllogaritje të bazuar mbi një përllogaritje tjetër e disa prej këtyre përllogaritjeve mbase mund të jenë më të sakta se të tjerat.

Pavarësisht kësaj, kjo vlerë përsëri mbetet e vetmja shifër në gjetjen e se sa mirë izolimet dhe politikat e tjera po funksionojnë, e si rrjedhojë në përcaktimin nëse këto politika kanë vlerë së bashku me kostot e tyre të jashtëzakonshme ekonomike dhe sociale.

Vallë një R0 më e vogël se 1 nënkupton se virusi është mposhtur

Testimi i antitrupave të koronavirusit afër Milanos, Itali, këtë javë. Foto: Alessandro Grassani për New York Times

Jo, nënkupton se përhapja e virusit është ndaluar përkohësisht, gjithnjë nëse shifrat e vlerësimet janë të sakta.

Aty ku R0 bie poshtë 1-shit atëherë kjo domethënë se për çdo 100 njerëz të sëmurë do të infektohen më pak se 100. Pra secila gjeneratë pasuese me të infektuar do të jetë më e vogël se e shkuara.

Por njerëzit përsëri mund të sëmuren dhe njerëzit përsëri mund të vdesin. Mund të duhet një kohë e gjatë për vendet që ta shohin virusin të zhduket plotësisht veçanërisht nëse shpërthimi fillestar ka qënë i keq.

Italia psh gjatë javës së tretë të prillit ka përllogaritur se masat izoluese e kanë çuar R0 e virusit në 0.8 një arritje e madhe kjo, por e fituar me një kosto të madhe.

Italia gjatë javës së tretë të prillit ka raportuar 15,918 raste të reja. Por me një R0 prej 0.8 asaj do t’i duhet rreth 26.8 gjeneratash që t’i ngjasojë ritmit të infektimeve të reja të Koresë së Jugut me nga 10 raste në ditë.

Kur bëhet fjalë për virulencën e një sëmundjeje e vlerës së numrit bazik të riprodhimit shpesh masat kufizuese ekonomike she sociale hiqen e vihen në varësi të ndryshimit të R0-s. Por asnjë nuk e di se cila duhet të jetë balanca e duhur dhe se si duhet arritur.

Një studim i Universitetit të Harvaridit ka përllogaritur se mbajtja e rasteve të reja brenda çfarë sistemi shëndetësor mund të menaxhojë mund të kërkojë kalibrimin e vënies dhe heqjes së karantinave në periudha të caktuara kohore gjatë mesit të 2022-shit.

Si qeveritë po e menaxhojnë R0?

New Delhi në Mars. India vlerëson se R0 e saj ka rënë në 1.36 nga 1.55. Foto: Rebecca Conway për New York Times

Përpjekjet zyrtare për ta gjurmuar R0 janë të një kualiteti jo të njëjtë, por me kalimin e kohës ato do të përmirësohen.

Tani shumë vende europiane raportojnë përllogaritje të R0 poshtë 1-shit, por nivelet e suksesit mbeten akoma të paqarta.

Gjermania e ka vlerësuar R0 me 0.9 gjatë 23 prillit thuajse një javë pasi vlera ishtë përlloaitur të ishte 0.7, gjë që e çoi zonjën Merkel të lehtësonte masat karantinuese. Qeveritë po përballen me dilema të vështira nëse duhet t’i pranojnë këto rritje të vogëla në vlerë të R0 si të këqija të përkohshme.

Një studim francez ka përllogaritur se karantinimet e mirëllogaritura e kanë çuar R0 nga 3.3 në 0.5, një transformim madhor ky.

Por interesant qe fakti se një ditë pas publikimit të studimit rastet e reja me koronavirus u rritën në numër. Pjesërisht pasi numri i infeksioneve në shtëpitë e azilit nuk ishte regjistruar më parë.

India e cila ka një popullsi gjigande, por një sistem shëndetësor që le shumë për të dëshiruar e bëjnë rastin e pandemisë një prej vendeve më me interes për t’u studiuar e parë nga afër. Përllogaritjet aktuale janë se R0 ka rënë nga 1.55 në 1.36. Kjo vlerë ndonëse është e ulët përsëri tregon siç e kemi përmendur më lart që numrat do të vijnë në rritje në secilën gjeneratë të ardhshme.

Është e vështirë të vesh për ShBA-në një vlerët të vetme R0-je. Vendi ka disa zona përhapjeje ku secila ka dinamikat e saj dhe në pikat të ndryshme në ciklet e saj të jetës.

Themeluesit e mëparshëm të Instagramit kanë ndërtuar një website që përllogarit vlerat e R0 për të tëra shtetet e ShBA-së (linku i sajtit https://rt.live/). Ndonëse nuk është aprovuar nga epidemiologët profesionistë apo ekspertët e shëndetit publik kjo përsëri tregon urinë e madhe të njerëzve për informacion mbi këtë variabël të dobishme e të vështirë për t’u përllogaritur.   

Max Fisher është gazetar për New York Times nga ku është marrë ky artikull e është përshtatur në shqip nga Gazeta “Si”.

Ky material nuk lejohet të kopjohet, apo riprodhohet pa miratimin e Gazetës “Si”. Ai është pronë intelektuale e gazetasi.al dhe si i tillë mbrohet nga ligji.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë