Treg

Shqipëria emeton Eurobondin 10-vjeçar 650 mln euro. Qeveria: Dalja më e suksesshme në tregjet e huaja

Nga Gazeta ‘SI’ – Ministria e Financave ka njoftuar se më 11 shkurt ka emetuar Eurobondin 650 milionë eurosh, me një kupton 4.75% dhe yield 5%.

Eurobondi ka një jetëgjatësi 10-vjeçare dhe do të maturohet në shkurt 2035.

Ky është emetimi më i suksesshëm i Republikës së Shqipërisë, që prej emetimit të parë në vitin 2010, thekson MF në njoftimin për median, duke treguar se ka pasur shumë kërkesë të lartë nga investitorët, 195, që ndikoi dhe në uljen e yield-it nga 5.5%.

Transaksioni i sukseshëm i emetimit të Eurobondit 2025 nënvizon disa arritje kyçe të daljes së Republikës së Shqipërisë, në tregjet e kapitalit, që janë Raporti i mbulimit i këtij Eurobondi ka qenë ndër më të lartët të arritur, prej 4.3 herë dhe më i larti ndër emetimet e vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore, që nga tetori 2024

Krahasuar me emetimet e Europës Qendrore dhe Lindore, emetimi i Republikës së Shqipërisë u mundësua me kushte financiare tepër të favorshme edhe pse me një vlerësim më të moderuar nga agjencitë ndërkombëtare, në krahasim me vende, si Serbia dhe Rumania.

Ministria e Financave tha se “vlerëson se dalja e suksesshme në tregjet ndërkombëtare të kapitalit është një sinjal pozitiv sa i përket kredencialeve të Shqipërisë”. “Ne do të vijojmë të mbetemi të përkushtuar për një menaxhim afatmesëm të borxhit të orientuar drejt reduktimit të rreziqeve dhe uljes së kostove”, tha Ministria e Financave.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë