Financa Personale

Shqipëria e fundit në Europë për të ardhurat për frymë dhe konsumin në 2021

Nga Gazeta ‘SI’ - Shqipëria ishte vendi me PBB-në më të ulët për frymë sipas fuqisë blerëse (PPS) në Europë, për vitin 2021. Sipas Eurostat ajo është sa 32% e mesatares europiane, më poshtë edhe se vendet e rajonit. Kjo matje bëhet sipas fuqisë blerëse të përllogaritura në statistika kombëtare, pasi konvertimi në një monedhë do të krijonte keqllogaritje, për shkak të niveleve të ndryshme të çmimeve, thekson Eurostat. Shqipëria është përmirësuar me 1 pikë përqindje nga një vit më parë.

Vendi me PBB-në më të lartë për frymë në Europë është Luksemburgu, 268% mbi mesataren europiane.

Edhe në treguesin e Konsumit Individual për frymë, Shqipëria është përsëri e fundit në rajon dhe Europë, në nivelin e 39% të mesatares europiane. Ky tregues mat konsumin e qytetarëve sipas fuqisë blerëse, në raport me çmimet. Rritja e çmimeve, raportohet 51.7% për Shqipërinë, niveli më i lartë për vendet e rajonit.

Përsëri, Luksemburgu shënonte nivelin më të lartë të konsumit për frymë për të gjithë Europën, por diferenca është më e vogël se në treguesin e të ardhurave, 44% mbi mesataren e BE-së.

Në fakt, disa nga ndryshimet kryesore të nivelit të çmimeve të vërejtura midis 2019 dhe 2021 mund të shpjegohen të paktën pjesërisht nga luhatjet e monedhës së një vendi kundrejt euros. P.sh, në vitin 2020 dhe 2021, monedha kombëtare e Turqisë tregoi një nënçmim të madh kundrejt euros.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë