Politike

‘Shqipëria do të bëhet’/ Rama: Sot jemi vend ku askush s’është mbi ligjin

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama në fjalën e mbajtur në Samitin IV të Diasporës në Tiranë, tha se vendi ka kaluar një transformim të thellë institucional dhe politik në rrugën drejt integrimit europian.

Ai theksoi se Shqipëria, e cila dikur perceptohej si një vend i “pandëshkueshmërisë”, sot sipas tij është një shtet ku sundon ligji dhe drejtësia funksionon në mënyrë të pavarur, si rezultat i reformave të ndërmarra ndër vite.

Rama nënvizoi gjithashtu progresin në procesin e negociatave me Bashkimin Europian, duke e cilësuar hapjen e grupkapitujve si një arritje të shpejtë dhe të rëndësishme në rrugën e integrimit të vendit në Bashkimin Europian.

Rama vuri në dukje se Shqipëria ka hapur të gjithë grup-kapitujt në një kohë rekord dhe sot ka ambicien të përmbyllë negociatat në 2027-ën.

“Sot pandëshkueshmëria është një mit i të kaluarës në Shqipëri dhe sot Shqipëria është vendi ku askush s’është mbi ligjin dhe drejtësia është e pavarur, siç nuk ka qenë qysh në krye të herës, që nga 1912-ta, deri kur ne me vullnet të plotë i dorëzuam shpatën që i takon vetëm duarve të saj, për të bërë drejtësi të barabartë, për të gjithë, pa kursyer askënd.

Atëherë Shqipërisë i mbyllej rregullisht dera e negociatave për anëtarësim në BE, sot i kemi çelur të gjithë grup-kapitujt, në një kohë rekord, për vetëm 11 muaj.

Njësoj si ju kur ju mbyllej dera në fytyrë në ato hapa të parë në rrugët e botës dhe askush s’kishte kohë, besim, dhe vëmendje, për t’ju dëgjuar dhe kuptuar se sa vlenit, por ju këmbëngulnit, dhe pasi fshihnit lotët nga poshtërimi i ditës, riktheheshit në mëngjes duke qenë në pritje për të qenë gati për derën kur të hapej. Në Samitin e parë, e ardhmja europiane ishte aspirata që mbetej larg, sot është një tryezë ku jemi të ulur bashkërisht, ballë për ballë, me ambicien për të mbyllur negociatat në 2027-ën.

Sot nuk është një kumt dëshiror në ajër, por është një fjalë e përditshme. Shqipëria do të bëhet.

Në gojën e Ismail Qemalit, ajo fjalë nuk ishte një përshkrim, por një besim, që sot si kurrë ndonjëherë ka marrë trajtën konkrete të objektivit të shtetbërjes eropiane”, tha Rama.

Kreu i qeverisë tha se sot vendi ynë ka dy gjëra që sipas tij s’i ka patur kurrë:

“Sot kemi Shqipërinë e besuar nga bota dhe shqiptarët e botës me besimin te Shqipëria”, tha Rama. 


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë