Politike

Rama në Samitin e Diasporës: Shqipëria 2030 si çdo kantier ka pluhur, por jemi drejt majës!

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama në fjalën e tij në Samitin e Diasporës theksoi rolin kyç të diasporës në zhvillimin e vendit, duke e cilësuar atë jo si histori emigrimi, por si një vlerë të shtuar për të ardhmen e Shqipërisë.

Sipas tij, shqiptarët jashtë vendit kanë ndërtuar jetë, karrierë dhe sipërmarrje të suksesshme, duke fituar respekt në vendet ku jetojnë përmes kontributit dhe qëndrueshmërisë së tyre, në një kohë kur Shqipëria perceptohej negativisht në arenën ndërkombëtare.

“Ajo që dukej si hendek sot është një urë. Diaspora nuk është një histori ikje, por vlerë e shtuar e Shqipërisë. Mes dallgës, shqiptarët ndërtuan jetë karrierë e sipërmarrje në vende që nisën t’i njohën ata përmes dobisë së tyre, qëndrueshmërisë dhe fisnikërisë, ndërkohë që Shqipëria mbetej një vrimë e zezë në sytë e të tjerëve. Njerëzit e tyre kudo ku ndodhen janë pjesë e një ekosistemi të vetëm të mundësive të rritjes përmes gjuhës. Ky samit është një deklaratë qëllimesh të larta dhe të përbashkëta. Diaspora shqiptare nuk është në periferi të jetës kombëtare të Shqipërisë, por në qendër të saj”, deklaroi Rama.

Kreu i qeverisë e cilësoi Shqipërinë si një “kantier të madh”, duke ftuar diasporën të investojë në vend.

 Ai pranoi se procesi i zhvillimit shoqërohet me sfida, duke e krahasuar me një kantier ku ka “pluhur, zhurmë dhe vështirësi”, por theksoi se sipas tij progresi është i dukshëm.

“Si në çdo kantier, edhe në atë të Shqipërisë 2030 ka pluhur, ka zhurmë, madje zhurmë zhurdhuese. Por ndonjëherë është mirë të kthesh kokën pas, për forcë, frymëzim për të filluar punën që kemi nisur. Për t’u ndjerë më të fortë përballë tatëpjetës së thepisur që duhej të ngjisnim drejt majës për të cilën sot jemi më afër se kurrë ndonjëherë. Sot jemi në fazën e ndërtimit të asaj që ka qenë boshti i bisedës tonë shekullore”, tha Rama.

Kreu i qeverisë këtu kujtoi edhe një nga kërkesat historike të diasporës, votën jashtë atdheut, e cila sipas tij ishte një kërkesë e përsëritur në samitet e mëparshme.

Ai theksoi se sot kjo e drejtë është bërë realitet, pasi diaspora ka mundur ta ushtrojë atë në zgjedhjet e fundit, duke kaluar nga një kërkesë në një të drejtë konkrete të zbatuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë