Analize

Shqipëria dhe Maqedonia, një fije shprese dhe një paralajmërim për Ballkanin

Të gjithë u kapën në befasi të martën (26 qershor) kur ministrat e BE ranë dakord për hapjen e bisedimeve të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë në qershor te vitit të ardhshëm. Shumë kishin dyshime se disa vendet anëtarë nuk do të pajtoheshin me këtë vendim, në një kohë kur BE-ja po përballet me sfida të vështira.

Kur vendet anëtare të BE-së u mblodhën të martën në Luksemburg për të diskutuar rekomandimin e Komisionit Europian për të filluar bisedimet e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Republikën e Maqedonisë, disa kishin frikë se përfaqësuesit europianë nuk do të binin dakord për asgjë. Të tjerët kishin frikë se përgjjigjia e vetme që do të merrnin do të ishte një "jo" e prerë dhe e dhimbshme.

Në fund të ditës, të gjithë u habitën.

Vendet anëtare të BE ranë në një kompromis: bisedimet e pranimit me të dyja vendet do të shtyheshin edhe për një vit dhe do të hapeshin vetëm nëse reformat do të vazhdojnë të japin rezultate konkrete. Megjjithatë, vendimi më i rëndësishëm në aspektin praktik, ishte se Komisioni Europian dha dritën jeshile që të fillojnë menjëherë të gjitha punët përgatitore për bisedimet. Ky ishte një kompromis jashtëzakonisht i vështirë. Përkundrejt faktit se, për herë të parë që nga viti 2009, Këshilli pati një situatë të favorshme për të arritur një vendim unanim për Maqedoninë, në sajë të marrëveshjes së nënshkruar midis Shkupit dhe Athinës, mbi çështjen e emrit, disa shtete anëtare, si Holanda dhe Franca, shprehën hapur dyshimet e tyre rreth vlerësimit të Komisionit për përparimin e arritur nga qeveria shqiptare dhe ajo maqedonase. Diskutimi më i zjarrttë ishte nëse përparimet në reformën e gjyqësorit dhe luftën kundër korrupsionit ishin të mjaftueshme për të hapur negociatat.

Kryeministri Edi Rama dhe Zoran Zaev

Të enjten e kaluar, parlamenti hollandez miratoi një mocion kundër negociatave me Tiranën, sepse sipas Amsterdamit kushtet për hapjen e bisedimeve me Shqipërinë nuk ishin përmbushur. Megjithatë parlamentarët holandezë refuzuan të votonin një mocion të ngjashëm për Maqedoninë. Shtete të tjera anëtare ishin gjithashtu të shqetësuara. Ato argumentuan se në një kohë kur BE-ja përballet me një listë shumë të gjatë sfidash, duke filluar nga refugjatët tek Brexit, çdo vendim për zgjerimin e BE-së mund të shihet si një sinjal se anëtarësimi i vendeve me sundim të dobët ligjor, është i pashmangshëm dhe se unioni nuk është serioz për konsolidimin dhe reformimin e vetë BE-së. Shumë nga vendet anëtare kanë frikë se hapja e negociatave me Tiranën dhe Shkupin mund të fuqizojë populistët dhe t'i kushtojë votat Parlamentin Europian në zgjedhjet e ardhshme në maj të vitit 2019.

Javën e kaluar, ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Nikola Dimitrov, iu përgjigj këtyre frikërave duke thënë se "fillimi i bisedimeve të pranimit nuk është as pranim i menjëhershëm as anëtarësim i garantuar në BE por një mjet reformimi. Ai theksoi ndër të tjera se Shqipëria dhe Maqedonia kërkojnë thjesht zbatimin e një sërë reformash në rajonin e Ballkanit. Dimitrov ka të drejtë, anëtarësimi i gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor (duke përfshirë Shqipërinë dhe Maqedoninë) nuk është diçka që mund të ndodhë pa një konkurrencë paralele në zbatimin e reformave serioze në Ballkanin Perëndimor dhe konsolidimin e BE-së.

“Ne duhet të rizbulojmë ambicien evropiane, të rizbulojmë një Evropë më sovrane, më të bashkuar dhe më demokratike, e cila është më e mirë për popullin tonë", deklaroi në janar të këtij viti, presidenti francez Emmanuel Macron. Ndërtimi i një Evrope të tillë kërkon që BE-ja dhe shtetet e saj anëtare të punojnë së bashku në të njëjtën kohë dhe në një sërë drejtimesh, duke filluar nga Brexit, tek sistemi global i tregtisë, buxheti i ardhshëm i BE-së dhe deri tek Ballkani Perëndimor. Konkluzionet e arritura të martën mbi zgjerimin treguan se, në fund të ditës, një mirëkuptim i tillë midis shteteve anëtare të BE-së, është ende i mundur të arrihet, por vështirësia në arritjen e tyre tregoi gjithashtu se mirëkuptimi brenda unionit europian është më i dobët se kurrë. Vendimi i të martës vërtetoi se BE-ja ka nevojë më shumë se kurrë për t’u reformuar.

Rama dhe Mogherini

Siç kërkoi Shqipëria dhe Maqedonia, rajoni dëshiron reforma serioze në fushat e sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit, demokratizimit dhe ekonomisë. Është gjithashtu e nevojshme që vlerësimet për zbatimin e këtyre reformave dhe arritjet e vendeve kandidate të bëhen shumë më të besueshme dhe bindëse. Kjo kërkohet jo vetëm nga qytetarët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor por edhe nga politikanët skeptikë, publiku në vendet anëtare të BE-së.

Strategjia e Komisionit Europian dhe deklarata zyrtare e Samitit të Sofjes duket se sigurojnë një listë të gjatë iniciativave të cilat, nëse zbatohen, mund t’i lëvizin gjërat në drejtimin e duhur. Ato fillojnë nga misionet e ekspertëve (duke përfshirë ekspertët e shteteve anëtare), të cilat do të vendosen në vendet kandidate për të kontrolluar dhe raportuar mbi gjendjen e sundimit të ligjit dhe demokracisë, me synimin për të kryer hartimin e udhërrëfyesve për sundimin e ligjit dhe marrjen e hapave konkretë në luftën kundër korrupsionit. Konkluzionet e së martës siguruan ajrin e freskët që u nevojitej reformatorëve të vërtetë në të dyja vendet.

Ne shpresojmë se BE-ja do të mund të “marrë frymë” pas zbatimit dhe zyrtarizimit të marrëveshjes Shkup-Athinë. Nuk ka kohë për të humbur, pasi historia ka treguar se një vit nuk është kurrë i mjaftueshëm për ndërmarrjen e reformave. Të gjithë duhet të bëjnë shumë më tepër për t’u siguruar që Shqipëria dhe Maqedonia të arrijnë sa më shumë përparime të jetë e mundur deri në qershorin e vitit të ardhshëm, në mënyrë që të bindin vendet që janë skeptikë për rezultatet e tyre. Të dyja qeveritë në Shkup dhe Tiranë treguan një vullnet të fortë për të marrë vendime të vështira, për të zbatuar reformat dhe për të provuar veten . Suksesi i tyre me siguri do të motivojë reformatorët e vërtetë në vendet fqinje si Bosnja, Kosova, Mali i Zi apo Serbia dhe ndoshta do të shërbejë si frymëzim edhe për disa vende anëtare në BE. /Euroactiv/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë