Arsim

Shqipëria dhe Kosova, me numrin më të lartë të mësuesve në rajon që shkojnë të papërgatitur në klasë

mesues. lenda, tekste, provime, covid

Më shumë se 8% e mësuesve në Shqipëri dhe 10% e mësuesve në Kosovë nuk përgatiten për orët mësimore në klasë.

Të dyja shtetet kishin përqindjet më të larta të mësuesve që nuk përgatiten për mësimin në raport me vendet e tjera të Ballkanit dhe nën mesataren e Europës Juglindore, thuhet në raportin përmbledhës. Në të analizohen rezultate e testit PISA 2028 nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD).

Siç shihet në raportin e vlerësimit, Serbia ka përqindjen më të ulët (2%) të mësuesve që vijojnë mësimin në klasë pa përgatitje të posaçme (shih grafikët bashkëngjitur). Ndërsa në raport me rajonin, mësuesit shqiptarë, serbë dhe të malazezë janë më të prirë për t’u adoptuar me metodologjitë e reja të mësimdhënies dhe me ndryshimin e kurrikulave. Mësuesit boshnjakë dhe ata maqedonas janë më shumë rezistentë ndaj ndryshimeve.

Mësuesit shqiptarë janë të prirur për të pasur takime individuale me nxënësit për nevojat që kanë. Vetëm 2.5% e mësuesve në Shqipëri i refuzojnë këto takime në raport me 7% të mësuesve në Bosnjë, Kosovë dhe Maqedoni.

Mësuesit, jo vetëm që duhet të jenë të aftë në metodat pedagogjike, por gjithashtu duhet të kenë këndvështrimin e duhur dhe mentalitetin për të punuar ngushtë me nxënësit në mjedise potencialisht të vështira. PISA 2018 pyeti drejtorët e shkollës për shkallën në të cilën sjelljet dhe praktika të caktuara të mësuesve, të tilla si rezistenca e mësuesve për të ndryshuar, parapërgatitja, mund të krijojnë një klimë të pakëndshme shkollore dhe pengojnë të mësuarit e studentëve.

Krahasuar me standardet ndërkombëtare, mësuesit në shkollat e Ballkanit Perëndimor tregojnë nivele më të larta të mungesave dhe mosgatishmërisë për bashkëpunim.

Analiza e OECD tregon se gjetjet e testit PISA për mësuesit në Ballkanin Perëndimor ngrenë shqetësimin se pse mësuesit mund të mos demonstrojnë sjellje profesionale, duke sinjalizuar nevojën për të parë më nga afër kushtet e punës dhe pagës së mësuesve, si dhe përshtatjen e politikave që lidhen me llogaridhënien dhe sjelljen etike të mësuesve.

Të gjitha sistemet arsimore të Ballkanit Perëndimor kanë krijuar standarde të mësuesve për të gjithë sistemin, për të ndihmuar në drejtimin e profesionit.

Shumica e këtyre standardeve paraqesin pozitivisht njohuritë dhe aftësitë kryesore pedagogjike. Megjithatë, gjetjet OECD dhe UNICEF kanë zbuluar se shpesh nuk janë të qarta aftësitë që duhet të demonstrojnë mësuesit për standardet e reja të mësimdhënies.

Në Ballkan nuk ka stimuj për mësuesit që kanë një karrierë bazuar në standarde. Për shembull, Serbia ka një strukturë karriere të bazuar në merita për mësuesit, por standardet e mësuesve nuk përdoren qartë si referencë në vendimet e ngritjes në detyrë, as nuk janë përdorur për t’u shpërblyer me pagë më të lartë. /B.Hoxha


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë