Ekonomi

Shqipëria del nga lista gri e pastrimit të parave. Mete: Presim rritje ekonomike 3.7%

Nga Gazeta 'SI' - Ministri i Financave Ervin Mete, ka dhënë lajmin pozitiv se Shqipëria ka dalë nga lista gri e pastrimit të parave, me vendim të FATF, Task Forca për Veprimin Financiar në BE.

Sipas ministrit, vendimi është marrë si pasojë e progresit të shënuar nga vendi ynë në zbatimin e rekomandimeve.

“Ky është një vendim me një sërë ndikimesh pozitive, qoftë në aspektin reputacional, ashtu edhe në lehtësimin e kostove të transaksioneve financiare në sistemin bankar brenda dhe jashtë vendit. Është një lajm inkurajues dhe motivues për ne për të vazhduar më tej forcimin e luftës kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, si edhe për të përmbushur në vazhdim angazhimet e ndërmarra me partnerët ndërkombëtarë” është shprehur Mete.

Ministri, i shoqëruar nga Guvernatori Gent Sejko dhe përfaqësuesit e FMN,ka treguar edhe çështjet e diskutuara në takimin e Fondin Monetar Ndërkombëtar. Ai shtoi se për herë të parë, për shkak se nuk janë vlerësuar risqe domethënëse nga ana e misionit të FMN-së, qëndrimet e shprehura edhe në deklaratën përmbyllëse, do të miratohen përmes një procedure konsensuale, pa kaluar më parë në Bordin e FMN-së.

Duke analizuar të dhënat ekonomike, Mete tha se është rishikuar në rritje ecuria ekonomike, në 3.7%, nga 2.6% që ishte parashikimi fillestar.

“Sa i përket perspektivës ekonomike, në skenarin tonë bazë për vitin e ardhshëm parashikojmë një rritje ekonomike prej 3.8%, ndërsa parashikojmë një rritje mesatare vjetore prej rreth 4% për periudhën afatmesme në vijim. Ne parashikojmë se një rritje e tillë në afatmesëm do të gjenerohet kryesisht nga kërkesa e brendshme, si nga konsumi privat, ashtu edhe nga investimet totale në ekonomi. Gjithashtu, parashikojmë se edhe kërkesa e huaj neto do të japë një kontribut pozitiv, kryesisht në sajë të pritshmërive të mira për shërbimet, veçanërisht turizmin. Për gjysmën e parë të vitit, investimet e huaja arritën në rreth 700 milionë euro ose 7.5% më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2022. Gjithashtu, të  dhënat e fundit për numrin e vizitorëve të huaj për janar-shtator 2023 janë shumë pozitive, me rreth 8.3 milionë vizitorë të huaj, 29% më shumë sesa e njëjta periudhë e një viti më parë”, tregoi ministri i Financave.

Ai shtoi se sot në një mbledhje të posaçme të Këshillit të Ministrave, do të miratohet projektbuxheti 2024, i cili vijon mbështetjen për reformën e pagave, në arsim, shëndetësi, forcat e rendit, të mbrojtjes dhe në sektorë të tjerë. Gjithashtu, projektbuxheti i vitit të ardhshëm mban në nivelin mbi 5% të PBB-së financimin e investimeve publike, jep mbështetje për zhvillimin e turizmit, si edhe vijon mbështetjen për fermerët dhe shtresat në nevojë. 


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë