Shendet

Shqipëria 20 vite pa kryer studime të mirëfillta shkencore për Hepatitet B e C

Nga Gazeta Si- Shqipëria po përballet gjatë kësaj dekade me epideminë e heshtur të hepatitit B, por nuk ka studime kombëtare që tregojnë shifrat e sakta dhe prevalencën në popullatë të prekjes nga infeksionet virale B e C.

Studimi më i fundit i kryer nga Instituti i Shëndetit Publik, daton në vitin 2005 dhe u krye me një fond prej 20 mijë euro donacion nga institucioni homolog në Itali, (Istituto Superiore di Sanità) ISS Romë.

Burime konfidenciale i thanë Gazetasi.al se prej vitit 2005, studimet e kryera janë të pjesshme dhe nuk tregojnë panoramën e qartë të situatës epidemiologjike në vend.

Kështu, të dhënat e 11 viteve më parë, në 2013, treguan se 250 mijë persona në Shqipëri janë të infektuar nga virusi i hepatitit B dhe 30 mijë të tjerë të infektuar nga virusi i hepatitit C.

Por, ekspertët e shëndetit publik thonë  se pas më shumë se një dekade shifrat janë rritur ndjeshëm.

Por përse nuk kryhen më studime të mirëfillta shkencore nga Instituti i Shëndetit Publik?

Sipas burimeve konfidenciale, shkak janë bërë ndryshimet e kushteve nga donatorët të cilët nuk kryejnë më bashkëpunime me projekte me institucionet, siç është ISHP, por me shoqatat që punojnë në këto fusha.

Kjo, sipas burimeve, ka sjellë për pasojë dhe abuzime nga emra të njohur të institucionit të cilët kanë krijuar shoqata fiktive për të rrëmbyer fondet e donatorëve, duke prodhuar studime të pjesshme dhe jo studime kombëtare që orientojnë politikat shëndetësore drejt reduktimit të rasteve e parandalimit të përhapjes së infeksionit.

Hepatitet në rritje, ndërgjegjësim i ulët

Në harkun kohor 2005-2024, në ditën botërore të hepatiteve më 28 korrik, ISHP ka deklaruar shifra të pjesshme të rasteve të reja me hepatit B dhe C në Shqipëri.

Në 2013, ISHP raportonte se prevalenca e hepatitit B dhe C, është shumë e lartë, 1 në dhjetë persona vuan nga këto dy hepatite.

Por mjekët specialist të shërbimit të gastrohepatologjisë shprehen të shqetësuar për një shkallë të ulët të ndërgjegjësimit.

“Ndërgjegjësimi kundrejt hepatitit, është i ulët. Numri i personave që humbasin jetën nga hepatitet është shumë më i lartë se ata që humbasin jetën nga tumoret apo HIV/AIDS, por njerëzit ende nuk e marrin seriozisht”.

Personeli mjekësor në rrezik, nuk vaksinohen

Referuar të dhënave të 2013, një kategori e rriskuar nga hepatitet B dhe C janë personeli mjekësor ku 11 vjet më parë, shifrat tregonin për gati 55 % e personelit mjekësor të prekur me Hepatit B.

Infermierë dhe sanitarë kanë pranuar se kanë pasur aksident me shpime(age shiringash apo vigonët) apo prerje me bisturi.

 Sa i përket grupmoshave, infermierët më të vjetër kanë prevalencën më të lartë, kjo sipas specialistëve edhe për faktin se vaksina masive në popullatë kundër Hepatitit B u bë pas vitit 1996.

“Grupmosha 40-60 vjeç vetëdeklaron HVB (Hepatit B) rreth 6.5 %. Grupmosha 20-30 dhe 50-60 rezulton me 4 %”, deklarohej atëherë publikisht nga drejtues të ISHP. Edhe sanitaret cilësohen me nivel të lartë sëmundshmërie, po t’i referohesh moshës.

Këta të fundit kanë deklaruar se janë vaksinuar për sëmundjen në masën 43 %”, thuhet në studimin e pjesshëm të ISHP në 2013.

Një kategori që edhe nga analizat e kryera ka dalë me prevalencë të lartë të Hepatitit B, janë të burgosurit, por mungesa e studimeve kombëtare ka bërë që asnjë institucion të mos ketë të dhëna të sakta për prevalencën, incidencën dhe rastet e reja çdo vit në kategoritë vulnerabël nga hepatitet B dhe C.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë