Shendet

Hepatiti B përhapet në masë / 361 raste të reja në 2023. Dentisti dhe spitalet, vendet me riskun më të lartë

Nga Gazeta Si - “Rasti më i fundit që kam në dorë është një djalë i ri mbi të 35-tat që rezulton i prekur me hepatit B. Për të mësuar mbi rrugën e transmetimit kam kërkuar analizat dhe testet e tij e të gruas dhe më rezultoi se gruaja ishte negative. Pasi fola me pacientin, mësova se ai ka jetë të rregullt seksuale, por ai dyshon se infeksionin e ka marrë nga ndërhyrja tek dentisti, tek i cili ka shkuar së fundi”.

Mjekët e familjes thonë për Gazetasi.al se shifrat e hepatitit B janë rritur frikshëm vitet e fundit dhe rrugët më të dyshuara si burim infeksioni janë gjaku dhe marrëdhëniet seksuale të pambrojtura.

Kategoritë më të riskuar janë të sëmurët që marrin dializë në shërbimin e dializës në QSUT.

Të dhënat zyrtare nga Instituti i Shëndetit Publik tregojnë se në 2023 ka pasur 361 raste të reja, me një incidencë në nivel kombëtar 13.1 13.1/100.000 banorë.

Bazuar në informacionin zyrtar të ISHP dhënë Gazetasi.al konstatohet rritje e numrit të hepatit B tek personat adultë aktivë të grupmoshës 35-39 vjeç dhe 50-54 vjeç.

“Kjo grupmoshë rezulton e pavaksinuar për mbrojtjen nga hepatiti B, ndërsa theksojmë se nuk ka patur asnjë rast të raportuar me HBV në grupmoshat pediatrike’, thuhet në prononcimin zyrtar të Institutit të Shëndetit Publik.

Qytetet me rastet më të larta

Nga një analizë e kryer me të dhënat zyrtare më të fundit mbi situatën e hepatiteve në vendin tonë, konstatohet se qytetet me numrin më të lartë të pacientëve të prekur me hepatit B është Lushnja dhe Tirana, përkatësisht 7.5 dhe 5.3 raste për 100.000 banorë.

Hepatiti C, grupi 35-39 vjeç dhe 50-54 vjeç më të prekurit

Edhe hepatiti C kanë vijuar të shënojnë raste të reja, ndonëse në shifra më të pakta, ku për vitin 2023 janë konstatuar 63 raste.

Incidenca në nivel kombëtar është 2.3 raste për 100 000 banorë.

Edhe për hepatitin C, ISHP në raportin e saj zyrtar thotë se numri i rasteve dhe incidenca është më e lartë në grupmoshat adulte, 35-39 vjeç dhe 55-59 vjeç përkatësisht.

Ndërkohë, nuk ka asnë rast me HCV në grupmoshat pediatrike ndërsa gjatë vitit 2024 janë raportuar 11 raste të reja me HBV dhe 2 raste të reja me HCV.

Vaksinimi kundër hepatitit viral B, mbulesa vaksinale 2023

Vaksinat kundër hepatitit viral B janë të disponueshme për fëmijët ashtu edhe për të rriturit.

Vaksina Hep B administrohet me injeksion intramuskular. Administrohen si një seri me 4 doza në një program 0, 2, 4 dhe 6 muajsh.

Vaksinimi i Hep B në lindje rekomandohet brenda 24 orëve të para për të gjithë foshnjat me gjendje të mirë shëndetësore që peshojnë të paktën 2 000 gram.

Vaksina e Hepatitit B, doza zero, aplikohet në lindje bashkë me vaksinën e BCG dhe të mbron kundër infeksionit të mëlçisë që shkaktohet nga virusi i hepatitit B.

Vaksina Hep B rekomandohet për të gjithë të rriturit e pavaksinuar në rrezik për infeksion HBV dhe për të gjithë të rriturit që kërkojnë mbrojtje nga infeksioni HBV.

Të rriturit e rekomanduar për vaksinimin e Hep B përfshijnë:

-Personelin shëndetësor, stafi i qendrave për personat me aftësi të kufizuara zhvillimore, punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe të sigurisë publike me rrezik për ekspozim ndaj gjakut ose lëngjet trupore të kontaminuara me gjak.

-Persona në rrezik për infeksion nga ekspozimi seksual, duke përfshirë partnerët seksualë të personave që janë pozitiv, personat me më shumë se një partner seksual gjatë 6 muajve të mëparshëm, personat që kërkojnë vlerësim ose trajtim për një infeksion seksualisht të transmetueshëm (IST) dhe MSM.

-Kontaktet familjare të personave që janë HBsAg pozitiv. Ata duhet të kontrollohen fillimisht për HBsAg, anti-HBc dhe anti-HBs.

-Personat në rrezik për infeksion nga ekspozimi perkutan ose mukozal ndaj gjakut, kontaktet shtëpiake të personave HBsAg pozitiv, personat me sëmundje renale në fazën përfundimtare, duke përfshirë paradializën, hemodializën, dializën peritoneale dhe pacientët me dializë në shtëpi

-Personat me diabet nga 19 deri në 59 vjeç; personat me diabet të moshës 60 vjeç e lartë sipas rekomandimit të mjekut përgjegjës.

-Personat me infeksion të hepatitit C ose sëmundje kronike të mëlçisë, duke përfshirë ata me cirozë, sëmundje të mëlçisë yndyrore, sëmundje alkoolike të mëlçisë

-Personat që udhëtojnë në rajone me nivele të larta ose të ndërmjetme (prevalenca HBsAg prej 2% ose më e lartë) të infeksionit endemik HBV, duke përfshirë ata që mund të përfshihen në sjellje me rrezik të lartë ose të ofrojnë kujdes shëndetësor gjatë udhëtimit

-Personat e infektuar me HIV

Çfarë është hepatiti B?

Hepatiti B është sëmundje e heparit (mëlçisë), e cila e bën atë të zmadhohet dhe të mos kryejë funksionet e saj siç duhet.

Mëlçia sulmon infeksionet, ndalon hemorragjinë, eliminon drogat dhe helmet nga qarkullimi i gjakut. Gjithashtu, ajo është depo energjish të cilat hyjnë në funksion kur trupi ka nevojë për to.

Si mund të merret hepatiti B?

Hepatiti B përhapet nëpërmjet kontaktit direkt me gjakun e një personi të infektuar, lëngut seminal (spermës), dhe lëngjeve të tjera të trupit.

Disa rrugë nga ku mund të merret hepatiti B janë:

- Marrëdhëniet seksuale me një person të infektuar pa përdorur prezervativ;

- Përdorimi i të njëjtës shiringë droge;

- Bërja e tatuazheve dhe vendosja e pirsing duke përdorur mjete josterile ose të përdorura më parë nga shumë njerëz;

- Shpimi me age të kontaminuara

- Bashkëjetesa me persona që kanë hepatit B;

- Përdorimi i të njëjtës furçë dhëmbësh ose brisku rroje me persona të infektuar;

- Udhëtimi në vende ku hepatiti B është shumë i përhapur;

- Mosrespektimi i rregullave të sterilizimit te aparaturave tek dentist;

Një grua e infektuar mund t'ia kalojë hepatitin B fëmijës gjatë lindjes ose gjatë ushqyerjes me gji.

Ju nuk mund ta merrni hepatitin B nga:

- Shtrëngimi i duarve me një person të infektuar;

- Përqafimi me një person të infektuar;

- Ulja afër me një person të infektuar.

Cilat janë shenjat e hepatitit B?

Hepatiti B mund t'ju bëj të ndiheni sikur keni grip.

Ju mund të:

- ndiheni të lodhur;

- keni të përziera;

- keni temperaturë të lartë;

- keni humbje të oreksit;

- keni diarre.

Disa njerëz kanë

- urinim me ngjyrë të errët si çaj;

- feçe me ngjyrë të zbardhur;

- zverdhje të syve dhe lëkurës.

Disa njerëz gjithsesi nuk kanë fare shenja.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë