Politike

Shqipëri-Kosovë ngrenë flamurin në Vlorë. Dritan Leli i mënjanuar, mungon opozita (Fotot)

Festimet për 110 vjetorin e Pavarësisë, nisën nga Vlora ashtu siç e do tradita.

Në ceremoninë festive për ngritjen e flamurit, mori pjesë kryeministri Edi Rama, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, presidenti Bajram Begaj dhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani.

Krerët më të lartë të shteteve shqiptare, vendosën kurora me lule në monumentin e Pavarësisë në Vlorë.

I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe kryebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli (edhe pse jo në vijën e parë të ceremonisë dhe disi i shmangur nga ceremonia zyrtare).

Ai është përpjekur të rreshtohet në vijë të parë në momentin e ngritjes së Flamurit por është shmangur nga Rama duke kaluar në krah të kryetarit të Kosovës, Glauk Konjufca, një lëvizje që është ndjekur me sy jo fort dashamirës edhe nga kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla.   

Gjatë ceremonisë, siç e do protokolli si mikpritës, Dritan Lelit i është dashur të ecë paralel me kryeministrin Edi Rama, por ky i fundit e ka shmangur tërësisht duke komunikuar vetëm me Albin Kurtin që e kishte në krah.

Dritan Leli u pa në të gjitha fotot dhe videot e ceremonisë së ngritjes së flamurit por krejt pa komunikim nga Rama. I vetmi moment eshte kur Lindita Nikolla e prezanton Konjufcën me të, dhe kur Dritan Leli pëershëndetet me koordinatorin e PS për Vlorën, Blendi Klosi.

Ne ceremoni mori pjesë edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca. Ndërsa nuk u pa asnjë përfaqësues i opozitës në ceremoni.

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, veçoi gjatë fjalës së tij, samitin e fillim dhjetorit.

“...Në fillim të dhjetorit, për herë të parë, jo vetëm në vendin tonë, por për të gjithë rajonin, mblidhet samiti BE-Ballkani Perëndimor. Një ngjarje dhe përgjegjësi e madhe.

Një mesazh mbështetjeje dhe inkurajimi për të gjithë shqiptarët dhe të ardhmen tonë në familjen evropiane duke nxitur njëherazi një përgjegjësi të shtuar për institucionet dhe klasën politike për vijimin e reformave dhe avancimin e agjendës evropiane.

Pavarësisht arritjeve, kemi rrugë të gjatë përpara. Por ajo që duhet të bëjmë, më së pari, është ta duam atdheun me vepra, me shërbim dhe idealizëm, ashtu si patriotët e mëdhenj, që nderojmë sot...”, tha Begaj.

“Ne duhet të jemi bashkë për zhvillimin e vendit, për ndërtimin e shtetit ligjor, për forcimin dhe demokratizimin e institucioneve dhe respektimin e çdo individi dhe të drejtave, që burojnë nga kushtetuta.

Duhet të jemi bashkë në luftën kundër korrupsionit, pabarazisë dhe varfërisë; bashkë për çështje të sigurisë kombëtare dhe reformës në drejtësi; bashkë për një shoqëri të lirë, të angazhuar dhe të arsimuar; për një Shqipëri të mundësive të barabarta, të medias së lirë, të institucioneve që u shërbejnë qytetarëve, e të rinjve që gjejnë hapësirë dhe shpresë për ëndrrat dhe idealet e tyre që të ardhmen  tyre ta ndërtojnë në vendlindjen e tyre Shqipëri”, shtoi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë