Lajme

Shqipëri-Kosovë marrëveshje për kufirin, por Rama mungon!

Shqipëria dhee Kosova nënshkruan sot një marrëveshjen dypalëshe për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar, ndërmjet dy vendeve si dhe për kryerjen e veprimtarive të përbashkëta të kontrollit kufitar.

Kjo marrëveshje lejon që shtetasit, automjetet dhe mallrat, të cilët hyjnë ose dalin nga territori i palëve, u nënshtrohen kontrolleve të përbashkëta nga autoritetet përkatëse përgjegjëse, vetëm një herë.

Në Morinë, përveç ministrave të Brendshëm respektivë, ishte i pranishëm edhe kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, ndërsa kreu i qeverisë shqiptare Rama mungonte.

Gjatë fjalës së tij, ministri Sandër Lleshaj njoftoi edhe arsyet e mos pranisë së Edi Ramës, kreut të qeverisë shqiptare.

“Së pari më lejoni t’iu përcjell përshëndetjet e kryeministrit Rama, i cili nuk preferoi të vinte, sepse tha: kemi 50 përqind sukses kësaj radhe, do të vi kur ta heqim plotësisht kontrollin e kufirit”.

Lleshaj e quajti marrëveshjen shumë të rëndësishme ndërsa paralajmëroi nënshkrimin e një marrëveshjeje të re së shpejti për eliminimin e kontrolleve në kufirin Shqipëri-Kosovë.

“Hapi tjetër, besoj shumë shpejt, ne do të jemi në gjendje që qeverive tu ofrojmë mundësinë e nënshkrimit të një marrëveshje shumë të rëndësishme e cila do të çojë në eliminimin e plotë të këtyre kontrolleve në kufirin tonë pa cënuar aspak sigurinë. Ky është një hap drejt vendosjes së standardeve të mirëfillta europiane në kufirin tonë ashti siç ndeshemi me të gjithë kufijtë e Europës ku ne synojmë të anëtarësohemi”, tha Lleshaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë