Ne rrjet

Pfizer do të furnizojë me vaksina programin COVAX

Kompania amerikane, Pfizer dhe ajo gjermane, BioNTech kanë rënë dakort t’i japin një pjesë të vaksinave programit COVAX të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, duke rritur kështu shpresat që vendet pjesëmarrëse (ku bën pjesë edhe Shqipëria) të marrin dozat e para përpara prillit.

Programi COVAX i OBSH-së ka për qëllim shpërndarjen e vaksinave në shtetet e varfra për 20 për qind të popullatës, por për shkak të sasisë së vogël të vaksinave që ka arritur të mbledhë ekspertët parashikojnë se kjo nismë nuk do të bëjë të mundur shpërndarjen përpara pranverës. Por bashkimi i Pfizer me këtë program ka të ngjarë të përshojejtojë procesin.

Ende nuk është e qartë se çfarë sasie të vaksinave do të marrë programi COVAX nga Pfizer/BioNTech, por pritet që të jetë e vogël.

Një burim tha se dozat e para të vaksinës do t’u jepen shteteve që janë pjesë e COVAX-it, për të vaksinuar punëtonjësit e tyre shëndetësorë.

Këshilltari i lartë i OBSH-së, Bruce Aylward, të hënën deklaroi se COVAX-i ishte në “diskutime mjaft të detajuara” me Pfizer dhe tha se pret që kjo kompani ta furnizojë me vaksina COVAX “shumë shpejt”.

Të enjten, COVAX tha se planifikon që të shpërndajë rreth 1.8 miliardë doza më 2021 në 92 shtete, duke mbuluar nevojat për vaksinim të 27 për qind të popullatës të këtyre vendeve.

Drejtoresha e OBSH-së për vaksinimin, Kate O’Brien, e cila njoftoi se nisma ka siguruar dy milionë doza, dhe të parat do të fillojnë të shpërndahen brenda javësh.

“Ne na duhen rreth shtatë miliardë dollarë në mënyrë që të mund të shpërndajmë vaksina të mjaftueshme në të gjitha vendet që janë bërë pjesë e kësaj nisme, deri në fund të vitit 2021. Deri më tani janë mbledhur 6 miliardë dollarë”, tha ajo. “Plani ynë është të nisim shpërndarjen e këtyre vaksinave me gjasë në fund të janarit dhe nëse nuk ndodh, atëherë shpërndarja do të nisë në fillim  të shkurtit”, theksoi ajo.

Vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë Kosovën u bënë pjesë e COVAX-it me shpresën që vaksina do të mund të sigurohej në kohë, por pas vonesave, si Prishtina ashtu dhe Tirana janë në bisedime me Pfizer për marrjen e dozave të para direkt nga kompania.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë