Kombetarja

Shpresat s’gabojnë si Kombëtarja, përmbysje spektakolare ndaj Andorës

Fitorja e dytë radhazi brenda pak ditësh për Kombëtaren U-21. Pas suksesit spektakolar në Austri, ku skuadra e Alban Bushit fitoi 1-5, ka ardhur edhe një tjetër trepikësh ndaj Andorës, që i ngjit kuqezinjtë e vegjël në kuotën e 11 pikëve, në vend të tretë në Grupin 3 të eliminatoreve të Europianit 2021.

Ndeshja nisi keq për Shqipërinë, pasi Bajrami shkaktoi penalti që në minutën e dytë dhe Andora kaloi në avantazh. U duk se edhe Shpresa do të imitonte Kombëtaren, por djemtë e Bushit e kaluan gradualisht goditjen psikologjike dhe arritën ta përmbysnin rezultatin, duke shënuar tre gola në pjesën e dytë.

Kthesa nisi në minutën e 62-të, kur mbrojtësi i Laçit, Adolf Selmani, barazoi me një goditje të fuqishme me kokë. Edhe goli i dytë erdhi nga ajri, me sulmuesin e Juventusit, Xhakomo Vrioni, i cili dërgoi në rrjetë një top të krosuar nga e majta nga Ismajlgeci. Vrioni u fut në fushë si zëvendësues në këtë ndeshje dhe ishte vendimtar në lojë. Goli i tretë erdhi në kohën shtesë nga Bullari, një tjetër lojtar zëvendësues. Shqipria U-21 ka përpara në renditje vetëm Anglinë dhe Austrinë, ndërsa Turqia, Kosova dhe Andorra janë pas saj. Kuqezinjtë e Bushit po kalojnë një moment shumë të mirë.

Shqipëri-Andora 3-1
Shqipëria: G.Selmani, Marku (Vila), Bajrami, A.Selmani, Ismailgeci, Çelhaka(Çokaj), Kallaku, Muçi, Dobra (Bullari), Xhixha (Mihana), Tuci (Vrioni). Trajner: Alban Bushi
Andorra: Pires, Torres, Alavedra, Guillen, Gomes, Aleks Martinez, Izquierdo, Roberto Rebelo, Rosas Ubaç, Alaez, Fernandez.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë