Kombetarja

Bushi: Reja s’do dijë cilin të zgjedhë, jemi si një Francë e vogël

Një ditë pas fitores me Andorën, trajneri i Kombëtares U-21, Alban Bushi, ka dalë në një konferencë shtypi, ku ka folur me superlativa për grupin që drejton. Ish-sulmuesi i Kombëtares pohoi se ka aq shumë lojtarë të rinj me nivel, saqë Reja nuk do të dijë këtë zgjedhë më parë në të ardhmen. Sipas Bushit, Shqipëria U-21 është si një Francë e vogël.

“Prioriteti ynë është furnizimi i ekipit të parë me lojtarë. Jemi një ekip modest, i vogël, nuk mund të krahasohemi me Spanjën dhe Gjermaninë, që kanë objektiva edhe te moshat. Ne duhet të përqendrohemi te Kosova, pastaj të vlerësojmë objektivat. Jam shumë i kënaqur me grupin e lojtarëve, e kemi të vështirë përzgjedhjen tani. Kjo tregon se FSHF-ja ka një strategji të mirë me kampionatet kombëtare për moshat. Kur kemi mungesa, ato nuk ndihen, çka do të thotë se kemi alternativa për të ardhmen.

Kombëtarja U-21 para ndeshjes me Andorën. Gazeta Si, 9 shtator 2020

Kombëtarja A nuk do të mbetet asnjëherë mangët. Nuk prisja t’i shënonim 3 gola Andorës, kurse Austrisë po. Ua kisha thënë djemve se do të shënonim 4-5 gola, pasi Austria luan hapur. Andorën e kisha merak, sepse luan mbrapa dhe ne bëmë vetëm 2 seanca stërvitore për atë ndeshje. Luajtëm nga krahët dhe punuam me Vrionin dhe Bullarin që ata të godisnin me kokë. Duheshin 3 pikët, nuk kishte rëndësi shumë loja. Ata që mungonin janë lojtarë të mirë. Ka ardhur momenti që Shqipëria të ketë 2-3 Kombëtare. Reja nuk e di kë do të ketë kombëtare, jemi një Francë e vogël. Ku ta gjemë që nga të mirët, të zgjedhim më të mirët. Konkurrenca bën gjithmonë mirë.

Nuk duhetë të shohim emrat, rëndësi ka të përqendrohemi te Kombëtarja, nuk më intereson se për kë luan dhe nga vjen. Shumica e lojtarëve të Shqipërisë U-21 vlejnë për ekipin e parë, trajneri Reja e di më mirë cili lojtar vlen. E rëndësishme për një trajner është që t’i gjejë vendin lojtarit. Kur ka topin kundërshtari, të jemi 11 lojtarë pas, kur sulmojmë duhet ta bëjmë me 5-6 veta. Luajtëm mirë në mbrojtje me Austrinë. Lojtarët tanë ishin më të vegjël në moshë se austriakët, sepse shumica janë të datëlindje 2000 dhe 2001, ndërsa Austria ka lojtarë të niveleve elitare që luajnë me Verder Bremenin, Lajpcigun, Mynshenglabahun në Gjermani.

Grupi i lojtarëve tanë është me breza, të datëlindjes 1998 janë Kallaku dhe Vrioni, edhe dy ndeshje e kemi dhe ikin. Nuk ka plan afatgjatë, u marrim më të mirën për momentin ,ndërsa atyre u duhet eksperiencë për të shkuar në Kombëtare. Aktualisht janë 12-13 lojtarë që kanë shkuar nga Shpresat te Kombëtarja A”, - theksoi trajneri Bushi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë