Njerez

Shpresa vdes e fundit! Prindërit gjejnë fëmijën e rrëmbyer 32 vite më parë

Një çift bashkëshortësh kinezë u bashkuan me djalin e tyre 32 vite pasi u rrëmbye para hyrjes së një hoteli, në vitin 1988.

Mao Yin, sot 34 vjeç u grabit në moshën 2-vjeçare, teksa babai i tij po e kthente në shtëpi pas një vizite mjekësore. Gjatë rrugës, Yin kërkoi ujë dhe i ati e la për pak momente të pashoqëruar në hyrje të një hoteli për t’ja blerë.

Prindërit e tij nuk e humbën kurrë shpresën e ribashkimit dhe përgjatë 32 viteve mamaja e Mao Yin ka shpërndarë mbi 100 mijë fletushka dhe është shfaqur në dhjetra emisione televizive për të rrëfyer historinë e saj.

Familja u ribashkua me ndihmën e policisë ditën e hënë dhe djali, tashmë madhor deklaroi se kishte në plan që të kalonte kohën me prindërit e tij.

“Dua të falenderoj mijëra personat që na ndihmuan”, tha e përlotur Li Jingzhi, mamaja e djalit.

Çfarë i ndodhi Mao Yin?

Më 17 tetor 1988, rreth një muaj pasi kishte mbushur dy vjeç, Mao Yin dhe babai i tij po udhëtonin për në shtëpi në qytetin Xian të provincës Shaanxi. Vogëlushi kërkoi një gotë ujë dhe ata ndaluan në hyrjen e një hoteli. I ati u shpërqëndrua për pak minuta dhe e humbi nga shikimi.

Pas ngjarjes familja e tij nisi ta kërkojë duke shpërndarë postera dhe fletushka në një gjerësi të madhe gjeografike. Kishte momente kur persona atë caktuar në përpjekje të marrjes së shpërblimit që u ishte premtuar i gënjenin, duke u ngjallur shpresën e rreme se më në fund dy prindërit kishin gjetur djalin e tyre, por jo…

Mamaja e tij la punën për t’u përqëndruar vetëm në misionin që i kishte vendosur vetes për të gjetur djalin, duke shpërndarë e vetme mbi 100 mijë fletushka në 10 provinca të ndryshme të vendit. Ndër vite është shfaqur me dhjetra herë në televizione, gazeta dhe emisione të ndryshme, përfshirë këtu X-Factor. Në 2007 ajo themeloi një grup të quajtur “Zemër, rikthehu në shtëpi” me synimin për të ndihmyar prindërit e tjerë që të gjenin fëmijët e tyre të humbur. Sipas medias shtetërore kineze, ajo ndihmoi rreth 29 fëmijë që të ribashkohen me familjet e tyre, ndërsa vetë vazhdonte të ishte në kërkim të djalit të saj.

Si u gjet Mao Yin?

Në fillim të muajit prill, media shtetërore kineze njoftoi se policia ishte sinjalizuar për një familje në provincën Sichuan, rreth 1 mijë kilometra larg qytetit Xian, që kishte adoptuar një fëmijë shumë vite më parë.

Policia zbuloi djalin e adoptuar, tashmë 34-vjeç dhe kreu testet e ADN-së për të provuar nëse ishte fëmija që Mao Zhenjing dhe Li Jengzhi kishin humbur në 1988. Testet rezultuan pozitive.

Familja e re i kishte ndryshuar emrin nga Mao Yin në Gu Ningning. 34-vjeçari vetë drejtonte një biznes arredimi shtëpish. Ai thotë se nuk është i sigurtë për të ardhmen, por për momentin do të kalojë ca kohë me prindërit e tij biologjikë.

Policia deklaroi se ai ishte shitur një çifti pa fëmijë për një shumë prej 6 mijë huanësh, ose rreth 840 dollarë sot. Hetimi mbi zhdukjen e tij është ende në vazhdim dhe autoritetet kineze nuk kanë dhënë më shumë detaje mbi çiftin që e rriti.

Rrëmbimi i fëmijëve, një problem i hershëm kinez

Rrëmbimi, trafikimi dhe shitja e fëmijëve është një problematikë shekullore e shoqërisë kineze. Nuk ka të dhëna zyrtare, por shoqata të ndryshme deklarojnë se aktualisht janë rreth 22 mijë fëmijë të zhdukur, rreth 15 mijë djem dhe 7 mijë vajza.

Në 2015 përllogaritej se çdo vit rrëmbeheshin 20 mijë fëmijë. Për të luftuar fenomenin, në 2009, Ministria e Sigurisë Publike ngriti një bazë të dhënash ADN-je, e cila prej atëherë ka ndihmuar në gjetjen e 6 mijë fëmijëve. Në maj të 2016, e njëjta ministri ngriti sistemin “Ribashkimi”, falë të cilit në tre vjet mbi 4 mijë fëmijë të rrëmbyer u janë rikthyer prindërve të tyre.

Burimi BBC. Përshtati në shqip gazetasi.al


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë