Politike

Shpëtimi i Alvinit, deputeti Maliqi: Shou për të mbuluar problemet në Shqipëri

Pas lajmit për operacionin e shpëtimit të vogulëshit Alvin Berisha ka ardhur edhe reagimi i parë nga opozita. Deputeti Lefter Maliqi në një deklaratë për median e cilësoi si një shfaqje të rradhës së qeverisë Rama. “Ky është një shou për të mbuluar problemet që ka Shqipëria sot në lidhje me krimin e organizuar dhe korrupsionin, në një kohë që Kosova liroi 110 persona dhe nuk bëri kaq shumë bujë sa bën kryeministri ynë. Duhet të jemi transparentë pasi kemi një kryeministër që ka mashtruar shqiptarët”, deklaroi Maliqi.
Sipas tij qeveria nuk duhet të bëjë shou të tillë pasi janë edhe 20 apo 30 fëmijë shqiptarë të tjerë që gjenden në kampin Al Hol. Në një raportim më të fundit të ministres së shtetit Elisa Spiropali, tha se “Përpjekjet tona për të riatdhesuar të gjithë gratë dhe të miturit shqiptarë vazhdojnë edhe sot. Kontaktet me Alvin dhe të tjerë janë mbajtur përmes organizatave humanitare. Në kampin Al Hol janë rreth 70 mije gra dhe fëmije nga të cilat 10 mijë jo siriane, përfshire nga vende evropiane si Franca, Italia, etj”. Ministrja theksoi se nga rreth 1000 individë nga Ballkani Perëndimor, përfshirë këtu gratë dhe fëmije në Siri dhe Irak, rreth 500 prej tyre ndodhen ende në atë zonë infernale. “Nga informacionet paraprake vlerësohet se rreth 150 prej tyre janë shqiptarë nga të gjitha trevat, prej të cilëve 72 shqiptarë nga Shqipëria, ku përfshihen edhe 11-13 burra të klasifikuar terroristë në burgjet te kontrolluar nga forcat kurde. 28 fëmijë janë evidentuar pas një pune intensive në bashkëpunim më partnerët me te gjitha gjeneralitetet. Ka dhe fëmijë të lindur në zonën e luftimit, por numrin e tyre nuk mund ta konfirmojë asnjë institucion. Rreth 460 janë kthyer në vendet e tyre në rajonin e Ballkanit duke e bërë ketë rajon me përqendrimin më të lartë të luftëtareve të huaj në Europë”, theksoi Spiropali gjatë interpelancës së zhvilluar të hënën në Parlament.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë